Lajme

Udhëheqësia e re Malit të Zi me qëndrim ndryshe ndaj Kosovës, nënkryetari Camaj: Kosova shtet i pavarur, nismat tjera janë të dështuara

By GAZETA SCANNER 1

August 10, 2024

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj thotë se përfshirja e një numri të madh të forcave politike në qeverinë malazeze nuk do ta pengojnë as do ta ndryshojnë orientimin evroatlantik të vendit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ai tha se përfshirja e shqiptarëve në pushtetin e Malit të Zi është tejet e rëndësishme për realizimin e atyre të drejtave që me dekada u janë mohuar.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës nënkryetari i sapozgjedhur i parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj vlerëson se përfshirja e një numri të madh të forcave politike në qeverinë malazeze nuk do ta pengojnë as ta ndryshojnë orientimin evroatlantik të vendit.

Zoti Camaj tha se përfshirja e shqiptarëve në qeverinë e Malit të Zi është tejet e rëndësishme për realizimin e atyre të drejtave që me dekada u janë mohuar.

“Marrja e pozitave të rëndësishme, qoftë në qeveri apo parlament, është e rëndësishme edhe për jetësimin e atyre premtimeve parazgjedhore,por edhe për kyçjen e shqiptarëve në pushtet dhe marrjen e përgjegjësisë për ti realizuar ato të drejta që me dekada na janë premtuar dhe të cilat ishin të nënshkruar në letra, por në aty kanë mbetur. Nga pozicioni i nënkryetarit të kuvendit, nga pozicioni i nënkryetarit në qeveri dhe të ministrave, kemi marrë përgjegjësi dhe nuk do të fajësojmë ndonjë tjetër nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar”, tha zoti Camaj.

Zoti Camaj, vë në dukje, se rruga e integrimeve evropiane dhe çështjet tjera në rajon nuk do të cenohen dhe rrezikohen edhe nga fakti se, siç tha ai, bazohen në marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

“Ajo që në këtë moment dominon dhe është dëshmuar me dhjetëra ligje të miratuara për të fituar IBAR-in( faza e re e negociatave me BE-në) dhe vendimet që i ka patur qeveria edhe në raport me Kosovën, dëshmon se dominuese është rryma tjetër që çon drejtë Evropës. Se a mund të vijnë në pyetje raportet me shtetet fqinje natyrisht se nuk besojmë se do të vijnë në pyetje dhe ne të jemi pjesë e kësaj ngjarjeje, pasi ne kemi një marrëveshje që nuk lejon që këto çështje të preken dhe çdo përpjekje do të ishte joserioze dhe e parealizueshme”, tha nënkyetari i parlamentit zoti Camaj.

Zoti Camaj nuk beson se shumica aktuale në pushtet mund ta ndryshojnë rrugëtimin e Malit të Zi, pasi sipas tij, për një veprim të tillë nuk ekziston as fuqia politike.

“Mali i Zi e ka njohur Kosovën dhe këto dy vende kanë marrëdhënie diplomatike dhe nuk mund të quhet ndryshe pëveç Kosovë e pavarur. Ndodhë që në parlament të kemi debate të ndyshme,por nuk besoj se do të ketë nisma për diçka më shumë dhe po të ketë janë të dështuara. Në fund të fundit ato nisma nuk mund të jenë me ne brenda dhe me shumë të tjerë siç është Partia Boshnjake. Dhe sikur ato forca do të donin që ndoshta të bënin ndonjë lëvizje nuk e kanë fuqinë politike”, tha zoti Camaj.

Pushteti në Malin e Zi do të jetë i përqendruar krejtësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe sigurinë e Bashkimit Evropian dhe me partnerët e NATO-s. Respektimi dhe mbrojtja e këtyre çështjeve është jetike për Malin e Zi, tha nënkryetari i parlamentit, Nikollë Camaj./VOA/