Lajme

UA-ja për shkarkimin e kryetarëve, KQZ-ja “trulloset” nga peticioni i Kurtit

By GAZETA SCANNER 1

September 07, 2023

Udhëzimi Administrativ për largim të kryetarëve komunalë nga detyra mund të përfundojë në institucionet e gjyqësisë.

Këtë pritet ta bëjë Partia Demokratike e Kosovës, që vlerëson se dokumenti është i jashtëligjshëm dhe kundërkushtetues. Sekretari organizativ i kësaj partie, Betim Gjoshi, i tha Klan Kosovës se do t’i shfrytëzojnë të gjitha instancat ligjore që ta kundërshtojnë këtë dokument, raporton Klan Kosova.

Ekziston dilema nëse Udhëzimi mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Por kjo e fundit, sipas avokatit Qëndrim Arifi, nuk i trajton aktet nënligjore. Mirëpo mënyrë tjetër, sipas tij, është kërkimi i interpretimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku përmendet peticioni.

Neni 7 i udhëzimit administrativ ia mvesh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve organizimin e votimit për largim të kryetarit, ku lipsen plus 50% e votuesve lokalë.

Ky institucion nuk ka kthyer përgjigje për dy ditë, se në çka do të bazohen për këtë proces. Mirëpo Klani merr vesh jozyrtarisht se është duke u menduar përpilimi i një rregulloreje të brendshme në KQZ, për t’iu përshtatur UA-së.

Mirëpo Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dyshon edhe në këtë metodë, pasi thotë se KQZ vepron sipas kushtetutës, ligjit dhe dekretit të presidentit, dhe jo sipas udhëzimit të një ministrie.

Me gjithë këto dilema, nëse dokumenti i MAPL-së dërgohet në ndonjërën nga gjykatat, njohësit thonë se do të vendoset masë sigurie dhe do ta vononte mbajtjen e zgjedhjeve në këtë formë, në veri të vendit. /Klankosova.tv