Lajme

U pyet se a ka porosi për “vëllain e vogël” Albin Kurtin, Rama: Vëllain e kam në Tiranë, është drejtor i klubit “Partizani”

By GAZETA SCANNER 1

June 11, 2024

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një konference dje në Prishtinë është pyetur rreth raportit me kryeministrin Albin Kurti.

“A keni ndonjë porosi për vëllain e vogël, i cili është hera e dytë që nuk po ju pret në konak?”, e pyeti një gazetare Ramën

“Vëllain e vogël e kam në Tiranë, është drejtor i klubit “Partizani”, Olsi Rama”.

Rama tha se nuk bie pre e këtyre pyetjeve për “ta futur në kurth”.

“Ma bëtë pyetjen me shpresën që do më fusni në kurth, po jam mësuar me këto kurthet shumë mirë”.

Për Kurtin refuzoi të fliste, por Rama lartësoi figurën e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, për të cilin tha se i krijoi Kosovës “pasurinë më të madhe natyrore, që janë aleatët dhe miqtë e Kosovës”.

Rama tha se historia më e suksesshme e politikës së jashtme të Kosovës u zhvillua gjatë kohës së Ibrahim Rugovës.

“Sa më shumë kalon koha rritet me peshën mbi historinë e Kosovës, por edhe historisë së kombit tonë në tërësi dhe aq më shumë i bën të tjerët të duken më të vegjël”.

Rama gjithashtu tha se takimi me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, erdhi pasi i pari i kryeqytetit e kishte ftuar shumë herë.

“Përparimi kishte kohë që më kishte ftuar, e mori vesh se këtu fjala del shumë shpejt se ju e dini që thashethemi i shqiptarëve shkon më shpejt se 4G”.