Lajme

“U paralajmëruan disa herë”- Arrestimi i dy politikanëve serbë, Policia e Kosovës del me njoftim

By GAZETA SCANNER 1

August 08, 2024

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Velkoviq nga partia Demokracia Serbe.

Në njoftimin e policisë thuhet se ata tentuan të penguan punën e autoritetit kompetent të kontraktuar për pastrimin e grafiteve me urrejtje nacionaliste si “Severna Brigada”, organizatë kjo e fundit që u shpall terroriste nga Qeveria e Kosovës.

“Sot, me datën 08.08.2024 rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada” etj. të cilat ishin në shesh afër urës”, thuhet në njoftim.

Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione”.

“Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona. Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”, përfundon njoftimi i PK’së.