Botë

Turqia planifikon ta fuqizojë flotën detare

Nga vitit 2022, për çdo vit, nga një nëndetëse do të vihet në shërbim. Në këtë mënyrë, në vitin 2027, gjashtë nëndetëse do të shërbejnë nën komandën e Forcave Detare të Turqisë, deklaroi presidenti tirk, Recep Tayyip Erdogan.

Duke folur në ceremoninë e nisjes së disa projekteve të nëndetëseve të reja në Komandën e kantierit detar në Golcük, Erdogan tha se shpreson që nëndetëset të jenë të dobishme për vendin, kombin, ushtrinë dhe detarët.

Ndërkaq, duke iu referuar paktit detar me Libinë, presidenti turk tha se marrëveshja nuk bie në kundërshtim me ligjet turke ose ndërkombëtare.

Erdogan tha me këtë rast se Turqia mund ta rrisë nivelin e mbështetjes ushtarake për qeverinë libiane të njohur nga OKB me pajisje ajrore, detare dhe tokësore nëse kërkohet.

Ai gjithashtu shtoi se Turqia ‘përfundimisht’ nuk do t’i ndryshojë politikat e saj ndaj Sirisë dhe Libisë.

Përndryshe, Parlamenti turk të shtunën ratifikoi një propozim-ligj mbi miratimin e memorandumit të mirëkuptimit mbi sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak me Libinë.

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Tripoli nënshkruan dy memorandume të veçanta; njëri për bashkëpunimin ushtarak dhe tjetri për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri: një në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe një tjetër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare, transmeton AA.