Botë

Turqia e bllokon bashkëpunimin NATO – Izrael shkaku i luftës në Gaza

By GAZETA SCANNER 1

August 01, 2024

Turqia e ka bllokuar bashkëpunimin mes NATO-s dhe Izraelit që nga tetori për shkak të luftës në Gaza dhe ka thënë se aleanca nuk duhet të angazhohet me Izraelin si partneri derisa të përfundojë konflikti, kanë thënë burime të afërta me procesin, raporton agjencia “Reuters”.

Izraeli e ka statusin e partnerit të NATO-s dhe ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me aleancën ushtarake si dhe me disa vende anëtare të saj, sidomos me aleaten më të madhe, ShBA-në.

Para fillimit të ofensivës së Izraelit në Gaza, e nxitur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, Turqia, anëtare e NATO-s, kishte qenë duke punuar për t’i ngrohur marrëdhëniet e tensionuara me Izraelin.

Nga ajo kohë, Ankaraja ka qenë kritikuese e ashpër e operacionit izraelit në Gaza, për të cilin thotë se përbën gjenocid, dhe e ka ndërprerë tërë tregtinë me këtë shtet. Turqia gjithashtu ka kritikuar shumë aleatë perëndimorë për përkrahjen e tyre për Izraelin.

Duke folur në kushte anonimiteti, burimet thanë se Turqia i ka vënë veto tërë angazhimit të NATO-s me Izraelin nga tetori, përfshirë takimet dhe ushtrimet e përbashkëta, duke e parë “masakrën” ndaj palestinezëve nga Izraeli si shkelje të parimeve themeltare të NATO-s.

Sipas një hetimi të OKB-së në qershor, Izraeli dhe Hamasi kishin kryer krime lufte në fazat e hershme të konfliktit në Gaza. Në raportin e Kombeve të Bashkuara thuhet se veprimet e Izraelit përbëjnë krime kundër njerëzimit për shkak të humbjeve shumë të mëdha të civilëve. Izraeli e mohon këtë dhe thotë se operacioni i tij në Gaza, nga i cili janë vrarë gati 40 mijë njerëz, synon që ta çrrënjosë Hamasin.

Burimet thanë se Turqia do ta mbajë të bllokuar bashkëpunimin mes NATO-s e Izraelit dhe nuk do ta lejojë Izraelin që ta vazhdojë ose ta avancojë ndërveprimin me aleancën derisa të përfundojë lufta, pasi beson se veprimet e këtij shteti i shkelin të drejtat universale të njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.

Pas një samiti të NATO-s në Uashington në korrik, presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha se nuk ishte e mundshme që aleanca ta vazhdonte partneritetin me administratën izraelite.

Më herët këtë javë, kryediplomati izraelit i bëri thirrje NATO-s që ta dëbonte Turqinë nga aleanca, pasi Erdogani dukej se kërcënonte për të hyrë në Izrael, siç kishte vepruar në të kaluarën në Libi dhe Nagorno-Karabak./Nacionale