Lajme

Turizmi, investimet publike po nxisin ofertën turistike

Nëse ka një sektor, ku impakti i investimeve në punë publike ka qenë i menjëhershëm, ai është turizmi.Këtë fillim gushti, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, (AIDA) i fton qytetarët të pushojnë në Shqipëri.


Nga jugu deri në veri të Shqipërisë, investimet e mëdha, të mesme dhe të vogla në këtë sektor janë të shumta në vendin tonë.Këto shërbime janë duke u përmiresuar dita-ditës, me ndihmën e politikave të Qeverisë Shqiptare por edhe të secilit prej nesh.

AIDA bën të ditur se, sektori i turizmit po rritet me shpejtësi, 45 miliardë lekë vlerë të shtuar krahasuar me 28 miliardë lekë në 2014, ndërsa politikëbërësit po zhvendosin vëmendjen më shumë drejt tij.Shqipëria në pesë vitet e fundit ka marrë investime në sektorin e turizmit kryesisht të përqendruara në infrastrukturën që ndryshoi krejtësisht qendrat e qyteteve me rilindjen urbane nga veriu në jug, nga qytetet e mëdha deri tek ato të vogla.

Sipas AIDA-s, përmirësimet dhe investimet fillojnë nga infrastruktura e energjisë elektrike, trajtimi i ujërave të ndotura, apo investimet e konsiderueshme me ujin e pijshëm të zonave tona turistike.Ndërsa resurset natyrore dhe kulturore nga veriu në jug, ju ftojnë për një sezon veror më të gjatë e më të bukur se çdo vit.

Sektori i turizmit, në ndryshim nga sektorët e tjerë, ndikon direkt në rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave brenda një kohe të shkurtër. Investimet publike në infrastrukturë, veçanërisht në zonat turistike me potencial për investime të mëdha vendase apo të huaja, krijojnë avantazhe të mëdha përsa i përket rritjes së aktivitetit ekonomik dhe për rrjedhojë rritjes së punësimit.Vlora është shembulli tipik ku investimet në infrastrukturë kanë sjellë ndikim të menjëhershëm në zhvillimin e turizmit dhe kthimin e tij në një burim të mirëfilltë punësimi dhe mirëqenieje. Deri para pak vitesh Vlora, për shumicën e turistëve ishte thjesht një pikë pushimi për një kafe, apo maksimumi një drekë rrugës për në plazhet e Himarës, Jalës, Dhërmiut, Qeparoit, Borshit e Lukovës.Prej dy vitesh mund të thuhet pa frikë se Vlora është kthyer në kryeqytetin e turizmit.Ndërsa modeli i Vlorës turistike është shtrirë në të gjithë vendin.