Botë

Trumpi e fajëson Zelenskyn për fillimin e luftës me Rusinë

By GAZETA SCANNER 1

October 18, 2024

Kandidati republikan për president dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të enjten e fajësoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se e ka ndihmuar nisjen e luftës së vendit të tij me Rusinë, koment që lë të kuptohet se ka gjasa që Trumpi ta ndryshojë në mënyrë radikale politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, nëse ai i fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Ish-presidenti republikan shpesh e ka kritikuar Zelenskyn gjatë fushatës në ShBA, duke e quajtur në mënyrë të përsëritur “shitësi më i madh në Tokë”, pasi ka kërkuar e pranuar miliarda dollarë ndihmë ushtarake amerikane që nga shpërthimi i luftës më 2022, raporton agjencia “Reuters”.

Trumpi gjithashtu e ka fajësuar presidentin ukrainas se ka dështuar që ta kërkojë paqen me Moskën dhe ka lënë të kuptohet se Ukraina mund të detyrohet që t’i dorëzojë një pjesë të territorit Rusisë për të arritur një marrëveshje për paqe, koncesion që Kievi e konsideron të papranueshëm.

Komentet e Trumpit në “PBD Podcrast” të enjten me Patrick Bet-Davidin shkuan një hap më tutje se kritikat e tij të mëparshme. Ai tha se Zelensky e ka fajin jo vetëm për dështimin për t’i dhënë fund luftës, por për ndihmë që ajo të niste, edhe pse konlfikti shpërtheu me pushtimin e territorit sovran ukrainas nga trupat ruse.

“Kjo nuk nënkupton që unë s’dua ta ndihmoj atë, sepse ndihem shumë keq për ata njerëz, por ai nuk do të duhej kurrë të lejonte që ajo luftë të niste. Lufta është humbëse” – tha Trumpi.

Gjatë një takimi në Nju-Jork në shtator, Zelensky ia paraqiti Trumpit “planin e fitores” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Sidoqoftë, komentet publike të Trumpit lënë të kuptohet se ai mund ta synojë zvogëlimin e ndihmave për Ukrainën, nëse e mposht nënpresidenten Kamala Harris në zgjedhje. Ai disa herë ka premtuar se do t’i japë fund luftës mes Ukrainës e Rusisë madje para se ta marrë pushtetin në janar, por nuk ka treguar se si saktësisht do ta arrijë këtë.