Botë

Trump thellon avantazhin. Republikani ka 154 vota elektorale, Harris vetëm 30

By GAZETA SCANNER 1

November 06, 2024

Ish presidenti amerikan, Donald Trump kryeson në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve. Deri më tani, Trump ka fituar 154 vota elektorale, sipas projeksioneve nga BBC.

Ndërsa zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka fituar 30 vota elektorale.

Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij. Kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore. Trump do të bëhej presidenti i dytë në histori që do të fitonte mandat presidencial në mënyrë jo të njëpasnjëshme. I vetmi president që e kishte bërë këtë ishte Grover Cleveland, në fund të shekullit 19-të.

Kamala Harris, 60-vjeçare, e ka paraqitur veten si ndryshim brezash nga Biden, 81 vjeç, dhe Trump 78 vjeç. Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për të drejtën e abortit pas vendimit të vitit 2022 të Gjykatës Supreme që i dha fund të drejtës kushtetuese për abort. Ajo po ashtu e ka cilësuar Trumpin si rrezik për demokracinë dhe ka përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe refuzimit që të pranojë humbjen nga Bideni më 2020.

Trump ka përdorur thirrjet e tij populiste për të përçuar mesazhin se gjatë mandatit të dytë ai do të bëjë më shumë për të përmirësuar ekonominë, për të frenuar valën e migrantëve që hyjnë në SHBA dhe ka thënë se do të ishte më i ashpër kundër kundërshtarëve të shtetit, sikurse Kina. Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të prekë Ukrainën më shumë se çdo vend tjetër te huaj. Kandidatët kanë dy qëndrime shumë të ndryshme sa i përket mbështetjes për Ukrainën, mbrojtja e së cilës kundër trupave pushtuese ruse varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike që i jep SHBA.

Harris ka thënë se ajo do të vazhdojë politikën e Bidenit për të ndihmuar Ukrainën, duke shprehur dëshirën që ta shohë të mposhtur Rusinë. Ndersa Trump ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta bartë pjesën më të madhe të barrës së mbështetjes të Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia, dhe po ashtu e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.

Dy kandidatët presidencialë kanë tentuar që në ditët e fundit të fushatës të fitojnë sa më shumë mbështetje dhe secili prej tyre e kanë portretizuar veten si vendimtar për të ardhmen e Amerikës.