Botë

Trump pas daljes nga burgu: Është një përvojë shumë e tmerrshme fotografimi si i burgosur

By GAZETA SCANNER 1

August 25, 2023

Disa orë pas qëndrimit të shkurtër në burgun Fulton të Atlantës, ish-presidenti amerikan, Donald Trump i tha Newsmax se momenti i fotografimit para burgosjes në polici ishte “përvojë e tmerrshme”.

“Nuk e kam dëgjuar asnjëherë fjalën “mugshot” (foto e bërë në burg). Ata nuk më mësuan këtë në Shkollën e Financës Wharton”, tha Trump me shaka teksa fliste me prezantuesin Greg Kelly në “Greg Kelly Reports”.

Ai përsëriti fjalët që tha pas daljes nga salla e gjyqit, citon cnn.

“Është një përvojë shumë e tmerrshme dhe një ditë shumë e trishtuar për vendin tonë. Ministria e Drejtësisë po përdoret si armë politike”, shtoi ai.

Ish-presidentit iu morën shenjat e gishtave, u profilizuan dhe u fotografua në burgun e Atlantës. Ai u lirua pas 20 minutash pasi pagoi dorëzanin prej 200 mijë dollarësh. Theksojmë se fotografia e burgut tashmë është bërë virale.

Trump u padit nga një juri e madhe me urdhër të Prokurores së Qarkut, Fannie Willis nën dyshimin se u përpjek për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Aktualisht ka katër aktakuza kundër Trumpit.

“Është vetëm një problem pas tjetrit. Ajo që ata duan është të përpiqen t’ju lodhin… është një gjë absolutisht e tmerrshme për ta bërë. Dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ky është një vend i botës së tretë”, komentoi Trump.

Kujtojmë se ish-presidenti i SHBA-së dhe një kandidat i mundshëm republikan në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2024 akuzohet se ka tentuar të ndryshojë rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve presidenciale në shtetin e Georgias në vitin 2020.

Ai u akuzua së bashku me 18 persona të tjerë, shumica e të cilëve u raportuan në të njëjtin burg dy ditët e fundit, pagoi garancinë dhe do të mund të vazhdojë të mbrohet nga liria.