Botë

Trump dhe Zelensky takohen në Nju Jork, prezent edhe Richard Grenell

By GAZETA SCANNER

September 27, 2024

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua në Nju Jork me Donald Trumpin, kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara.

Trump tha se nëse zgjidhet president, “ne do të punojmë me të dyja palët” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që ai tha se beson se “mund të zgjidhet shumë shpejt”.

“Kam raport shumë të mirë [me Zelenskyn] dhe po ashtu kam një raport shumë të mirë, siç e dini, me presidentin [rus, Vladimir] Putin”, tha Trump më 27 shtator në Kullën Trump në Nju Jork, ku u mbajt takimin.

“Mendoj se nëse fitoj [në zgjedhjet presidenciale të nëntorit], do të kemi një zgjidhje shumë të shpejtë”, shtoi ai.

Takimi vjen mes rritjes së tensioneve mes dy zyrtarëve lidhur me mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Mbajtja e këtij takimi ishte vënë në pikëpyetje paraprakisht, por Trump tha se “vetë fakti që jemi bashkë sot është shenjë e mirë”.

“Mendoj se kemi një qëndrim të përbashkët se lufta në Ukrainë duhet të ndalet dhe [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk mund të fitojë”, tha Zelensky në nisje të takimit.

Takimi u zhvillua në Kullën Trump në Nju Jork, një ditë pasi nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kundërshtarja demokrate e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, u takua me liderin ukrainas dhe shprehu mbështetje të palëkundur për Ukrainën.