Ballina

Tromp: Roli i ShBA-së ka ndryshuar

By GAZETA SCANNER 1

August 06, 2023

Faktori ndërkombëtar konsideron se me Marrëveshjen e Ohrit është bërë një hap i rëndësishëm për normalizimin marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por progres në dialog nuk po sheh ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp.

Tromp, thotë se regjimi aktual në Serbi do të vazhdojë të negocioj me Kosovën, por asnjëherë nuk do ta njoh pavarësinë e saj.

“Nuk ka dyshim, procesi i dialogut në Bruksel nisi me idenë se në fund Serbia do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por siç po e shohim ka kaluar mbi një dekadë që kur kanë filluar negociatat dhe nuk duket as afër që Serbia do ta njoh Kosovën. Regjimi aktual në Serbi kurrë nuk do ta bëjë një gjë të tillë” , thotë Tromp pwr Tëvë1.

Sipas Tromp, Serbia nuk është agresive vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj një shteti tjetër në rajon.

Tutje ajo thotë se politikat e regjimit aktual serb nuk dallojnë shumë me ato të viteve të 90-ta.

“Sikurse gjatë viteve të 90-ta Serbia vazhdon të ketë një qasje tejet agresive ndaj Kosovës. Duhet ta theksojmë se këtë politikë Serbia nuk e ka vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj Bosnje e Hercegovinës. Edhe sot e kësaj dite regjimi serb nuk e pranon se në Bosnje dhe Hercegovinë janë kryer masakra ndaj civilëve myslimanë boshnjakë”, shprehet ajo.

Nevenka Tromp tregon se aktualisht shtetet Perëndimore janë duke e trajtuar me urgjencë çështjen e orientimit gjeostrategjik të Serbisë, prandaj edhe sipas saj ka ndryshime serioze në politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Jam e befasuar me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke vepruar tani. Ishte një periudhë ku Kosova pati një mbështetje të jashtëzakonshme nga SHBA-të dhe siguroi njohje të rëndësishme ndërkombëtare. Tani jemi duke parë ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe kemi një rol më ndryshe të SHBA-ve krahasuar me 10 vite më parë. Ka një urgjencë tek shtetet Perëndimore që nëse nuk arrijnë ta kenë afër vetes Serbinë së paku të mos e lënë atë në duart e Rusisë”, vlerëson ajo.

Kujtojmë që në disa raste kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Perëndimi po përdor një politikë të butë karshi Serbisë.