Botë

Treshja e liderëve evropianë tregojnë hapat e ardhshëm që do të ndërmarrin për ta ndihmuar Ukrainën

By GAZETA SCANNER 1

March 15, 2024

Mes shqetësimeve në rritje se zvogëlimi i mbështetjes nga Perëndimi do t’i lejojë Rusisë të fitojë një avantazh vendimtar në konfliktin me Ukrainën, liderët e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë janë zotuar sot të ofrojnë më shumë armë për Kievin dhe të rrisin prodhimin e pajisjeve ushtarake.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz mirëpriti presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin polak, Donald Tusk në një samit të quajtur “Trekëndëshi i Weimarit”.

Scholz tha në një konferencë shtypi pas takimit se kishte diskutuar të mërkurën me Volodymyr Zelenskyn se për çfarë mbështetje kishte nevojë, raporton skynews.

“Ai e di se mund të mbështetet tek ne dhe ne po ripërtërijmë këtë sinjal të mbështetjes për Kievin. Por, një sinjal i qartë shkon edhe për Moskën – presidenti rus duhet të dijë se ne nuk do të heqim dorë nga mbështetja jonë për Ukrainën”, shtoi lideri gjerman.

Scholz pohoi se “menjëherë do të prokurojmë edhe më shumë armë për Ukrainën, në tregun e përgjithshëm botëror”.

“Së dyti, prodhimi i pajisjeve ushtarake do të zgjerohet, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me partnerët në Ukrainë”, shtoi kancelari gjerman dhe shtoi se do të krijohet një “koalicion i ri për artilerinë e raketave me rreze të gjatë”.

Macron ripohoi mbështetjen e Francës për një plan të iniciuar nga Çekia për të blerë municione dhe predha jashtë Bashkimit Evropian, por gjithashtu nuk dha detaje.

“Ne duam të shpenzojmë paratë tona, ne duam të ndihmojmë në çdo mënyrë të mundshme … këtu dhe tani, në mënyrë që situata e Ukrainës në javët dhe muajt e ardhshëm të përmirësohet, jo më keq”, shtoi Tusk.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.