Trepça e ka fituar me rezultat të lartë derbin ndaj Sigal Prishtinës. Të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça fitoi me rezultat 78:66.
Ndeshja i takoi xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja është ndërprerë në çerekun e tretë për më shumë se gjysmë ore. Është zbrazur një pjesë e tribunës para se ndeshja të vazhdonte sërish.
Skuadra mitrovicase ka pasur telashe vetëm në çerekun e dytë, të cilin Prishtina e fitoi 23:18. Ndërkohë shkëputja e madhe u bë në çerekun e tretë, që i takoi Trepçës me rezultat 21:7.
Për Trepçën është fitorja e dytë. Ndërkohë Prishtina pësoi humbjen e parë.
Cevin Bracy-Davis udhëhoqi Trepçën me 19 pikë e nëntë kërcime. Drilon Hajrizi i kishte 22 pikë e tri kërcime. Jordy Tshimanga i kishte 15 pikë e 11 kërcime.
Derrick Wilson i shënoi 25 pikë për Prishtinën, ndërsa i kishte edhe pesë kërcime. Tyron Harris i realizoi 12 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Nick Ward ndeshjen e përfundoi me 14 pikë e shtatë kërcime. Te Prishtina mungoi thuajse plotësisht kontributi i lojtarëve vendorë. Kapiteni Dardan Berisha i realizoi vetëm dy pikë për 20 minuta lojë.