Eksperti balistikës Lutfi Raci, në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, tha se gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë të armës-pushkës automatike ASH-78, e cila shihet edhe në video-incizimin e të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj.
Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj po akuzohen se më 26 nëntor 2021, të shtyrë nga hakmarrja e paskurpullt, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre fëmijë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas ekspertit Raci, konstatimet që në kanë arritur nga ekspertiza, kanë qenë se tri gëzhojat kishin qenë të shkrepura prej një arme të vetme.
Në bazë të karakteristikave klasore, ai tha se ato kanë qenë të shkrepura nga një pushkë automatike e llojit ASH-78 e prodhuar në Shqipëri, e cila është një variant i pushkës automatike AH-47.
Foto: Imazhet e paraqitura në seancë nga Prokuroria, pjesë e ekspertizës balistike për krahasimin e karakteristikave të pushkës së ekspozuar në video-incizim.
“Kanë qenë edhe disa xhaketa apo fragmente, në mesin tyre 4 xhaketa të dëmtuara. Dëshmitë me shifra A#1.3 A#2.2, B#7.1, dhe D#13, në bazë të karakteristikave klasore dhe individuale ato janë shkrepur apo qitur prej një arme të gjatë me tytë prej 4 palë të vijaskave me besueshmëri pushkë- automatike ASH-78 variant i pushkës AH-47”, tha eksperti.
Sipas tij, këto dëshmi kanë qenë të krahasueshme dhe të identifikueshme se prej sa armëve janë shkrepur. Tha se në mesin e dëshmive ka pasur edhe dëshmi tjera, por të cilat nuk kanë pasur elemente apo karakteristika të krahasueshme.
Raci tha se bazuar në të gjeturat, krahasimet dhe metodat që i kanë përdorur, kanë ardhur në përfundim se gëzhoja, fragmentet, xhaketa, bërthama dhe pjesë të tjera të ekzaminimit, i takojnë kalibrit të fishekëvë 7.62x39mm.
“Karakterikat krahasore që janë gjilpërat goditëse, shenjat e jashtëqitësit, sipërfaqja e gojzës dhe disa karakteristikat tjera. Ne themi se me besueshmëri në këto dëshmi janë shkrepur prej këtij lloji të armës, por jo armës së saktë, sepse nuk e dimë sepse arma nuk është sjellë si provë për krahasim”, tha eksperti balistik Raci.
Ai shtoi se objekt ekzaminimi ishin qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe një pistoletë.
Dëshmitë me shifër C#1 dhe B#1, tha se ishin dy fishekë të kalibrit 7.62x39mm, pastaj si dëshmi të kalibrit të njëjtë ishin dëshmitë me shifër H#1, që ishin 123 fishekë të kalibrit të njëjtë 7.62x39mm. Në mesin e këtyre fishëkeve të dëshmisë H#1, tha se kishte qenë një fishek i therur në kapsolën ndezëse nga gjilpëra goditëse e armës.
Dëshmi tjera tha se ishin 20 fishekë të kalibrit 7.62x39mm dhe 12 fishekë të kalibrit 7.62.x39mm, i cili lloj municioni tha se përdoret për pushkët automatike AK-47 dhe variantet e saja, si dhe armët tjera të cilat e përdorin këtë municion, po ashtu dëshmi tjetër kishte qenë një pistoletë.
Lidhur me fishekun e therur, ai tha se iu takon dëshmive, të municionit të gjetur në shtëpinë e të akuzuarve, ku në bazë të shenjave tha se i takon prodhuesit Paliqan të Shqipërisë dhe përveç kalibrit nuk ka asnjë lidhshmëri me gëzhojat e vendit të ngjarjes.
Ai tha se nuk kanë mundur të vijnë në përfundim se a është therur ai fishek apo jo nga arma e njëjtë që i ka shkrepur tri gëzhojat në vendin e ngjarjes.
“Kanë munguar karakteristikat klasore që fisheku nuk ka qenë i shkrepur, pa u shkrepur karakteristikat klasore apo individuale nuk mbesin në gëzhojë, në këtë rast që është therë fisheku kanë qenë karakteristikat e dobëta dhe me to nuk ka mundur ta identifikojë se fisheku është ther nga e njëjta gjilpërë goditëse e armës që i ka shtypur tri gëzhojat e vendit të ngjarjës”, tha Raci.
Sipas një fotografie të paraqitur nga ana e Prokurorisë, e cila është gjetur në telefonin e të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj, eksperti tha se ajo është pushkë automatike ASH-78, variant i pushkës AK-47.
Foto: Imazhi i të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj shkëputur nga video-incizimi i marrë nga telefoni i tij.
Kjo lloj arme tha se është e prodhuesit Poliqan, Republika e Shqipërisë, kalibri i saj është 7.62x39mm, dhe tha se kjo armë funksionon në bazë të shtypjes së gazrave në formë të shtytjes apo qitjes.
“Krahasimin e kemi bërë pasi që kemi pasur në video-incizimin dhe ne i kemi bërë forografitë, i kemi nxjerrë nga video-incizimi dhe e kemi krahasuar me një armë me karakteristikat e njëjta, e cila del se bëhet fjalë me pushkën automatike ASH-78 në bazë të këtyre elementeve si në fotografi”, tha eksperti Raci.
Në fund, prokurorja Sahide Gashi dhe mbrojtësit e të akuzuarve, kishin propozime për dëgjimin e dëshmitarëve tjerë, të cilët mbrojtja pretendon se do të paraqesin alibinë e ditës në të cilën ka ndodhur ngjarja kritike.
Për këto, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, tha se do të vendosin në seancën e nesërme për shkak të kalimit të orarit të rregullt të punës.
Paraprakaisht, eksperti Raci tha se për objekt ekspertimi në ekspertizën e tyre kanë qenë tri gëzohja të kalibirit 7.62x39mm, disa bërthama, xhaketa, pjesë të fragmentuara të xhaketave.
Ai tha se kanë punuar me metodën e ekzaminimit fizik, klasifikimit dhe identifikimit të plumbave, ndërsa edhe për gëzhojat gjithashtu tha se është përdorur metoda për ekzaiminim fizik, klasifikimit dhe identifikimit të tyre.
Raci tha se u përdorën mikroskopët krahasue dhe stero krahasues, si dhe sistemi ibis e përputhja digjita;e për provat materiale të cilat ishin për ekzaminim për ta shikuar se a janë shkrepur nga një armë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).