Sport

“Topçinjtë” në garë për Osimhen

By GAZETA SCANNER 1

June 12, 2024

Pas dy “dështimeve” radhazi, vitin e ardhshëm, “Topçinjtë” e Arsenal do të përpiqet të fitojë titullin e shumë lakmuar të Premier League, të cilin në dy edicionet e fundit të elitës angleze e ka humbur shumë afër mbylljes se sezoneve, përballë “Qytetarëve” të Manchester City.

Në një situatë të tillë trajneri Mikel Arteta e ka kthyer fokusin nga merkato, për të realizuar përforcimet e nevojshme që skuadra e tij të jetë sa më shumë konkurruese, teksa sipas raportimeve më të fundit, të mediave britanike, tekniku i “londinezëve” synon që të afrojë sulmuesin e Napoli, Victor Osimhen.

Madje theksohet se për të bërë të mundur këtë transferim “Topçinjtë” janë të gatshëm që të “sakrifikojnë” dy lojtarë, anësorin e mbrojtjes, Takehiro Tomiyasu dhe “fantazistin”, Emile Smith Rowe, të cilët Arteta dëshiron t’i përfshijë në marrëveshje, për të marrë Osimhen-in nga Napoli, në mënyrë që De Laurentiis të ulë shumën që kërkon për sulmuesin nigerian, e cila arrin në rreth 130 milionë euro.

Megjithatë, më tej në raportimet e “ishullorëve” thuhet se ky transferim ka dhe një pengesë tjetër që mban emrin Chelsea, me “Blutë” që kanë shfaqur gjithashtu interes të lartë për, Osimhen dhe përfshirja e tyre në garë do i krijonte shumë vështirësi një skuadre si Arsenal.