Poezi nga Elizabetë Qarri
Në agun e këtij mëngjesi një përbindësh njeri vrau gruan e tij.
Një përbindësh njeri masakroi nënën e fëmijëve të tij.
Një përbindësh njeri mpreu sëpatën e bëri copë – copë nënën që i fali trashëgimtarë atij.
Po ç’pate ore përbindësh njeri, barbar Kush je ti që vret një nënë, një motër, një grua.
Kush je ti që nën dizginat e kalbura të mendjes sate të tërbuar merr jetë njerëzore me shpirtin tënd të ligë.
Kush je ti o i marrë që shuajte shtëpinë, e prangose përjetësisht nën dryrin e mallkimit vrastar.
Kush je ti, që në vigjilje festash e ndërrimi motmotesh mbesat e nipërit e tu i dënove me dhuratën më të përgjakur ç’njerëzore ti, që vezullimin e dritave të vitit të ri fëmijëve ua stolise me gjak.
Ti o tiran, që fëmijët e tu i mallkove me plagën më të rëndë vrastare që oxhakun e ngohtë të vatrës tënde e ktheve në akullnajë të acartë e trashëgimtarëve të tu, çatinë e ngrohtë ua ktheve në ferr.
Ti o bukëpërmbysur o përbindësh njeri Mallkuar qofsh ti e gjiri i nënës tënde që ushqeu helmin tënd të prishur që rrjedh në damarët e tu.
Ti s’je as burrë e as mashkulli që burri përbrenda ka Ti s’je as njeri, je përbindësh njeri.
Ti që në këtë botë as i gjallë e as i vdekur do të dergjesh i kalbur nga mallkimet e nëmat e të gjallëve të tu.
Do të ngulfatesh nën vrerin e aktit tënd barbar që nuk shpërlajnë kurrë duart e tua plot gjak.
Ti që mortin tënd do ta kërkosh si të vetmin shpëtim kur nën lutjet e tua për ta gjetur atë, jeta jote skëterrë qiejtë e tu fundos përgjithmonë, ti korb i zi.
Mallkuar qofsh përbindësh njeri!
25 nëntor 2022