Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha thotë se nuk përjashtohet një akuzë konkrete ndaj kryeministrit Albin Kurti, teksa ky i fundit ka heshtuar pas thirrjes nga Prokuroria Speciale në Hagë, për të dëshmuar për një çështje korrupsioni.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Berisha u shpreh se nuk duhet të jetë befasi, nëse rezulton se Kurti është i implikuar në korrupsion.
“Kjo thirrje për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale, kjo mund të shihet jo vetëm në aspektin juridik, por edhe politik apo zgjedhor. Kjo duhet parë në dimensionin penal që mund të ketë edhe impakt politik. Nuk përjashtohet asnjë mundësi. Këto janë shqetësime publike që janë ngritur. Këto procedura janë bërë të ditura nga opozita, shoqëria civile, por edhe media. Duhet qartësim rreth përgjegjësive që ka pasur Kurti dhe ministritë. Ditën në vijim mund të implikohet zoti Kurti. Nuk duhet të befasohemi. Ndaj ligjit jemi të gjithë të barabartë. Ka impakt politik. Është çështja shumë e ndjeshme, kemi të bëjmë me rezervat shtetërore”, theksoi ai.