Lajme

“The Telegraph”: Sali Berisha shpenzoi gati 500 mijë euro për ta hequr “non gratan” në Britani

By GAZETA SCANNER

September 26, 2024

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shpenzuar gati 500 mijë euro në beteja ligjore për ta hequr ndalimin e hyrjes në Britaninë e Madhe, ka raportuar e përditshmja “The Telegraph”.

79-vjeçari, i cili po dyshohet për korrupsion në Shqipëri, u shpall “non grata” (i padëshiruar) nga Britania e Madhe në korrik të vitit 2022 mbi bazën se Berisha kishte “lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët” që përbënin kërcënim për sigurinë publike në Britani dhe Shqipëri. 14 muaj më herët, edhe Departamenti amerikan i Shtetit kishte vendosur masën e njëjtë për të.

Berisha shërbeu si president i Shqipërisë midis viteve 1992 dhe 1997 dhe si kryeministër nga viti 2005 deri më 2013. Ai vazhdon të jetë kryetari i Partisë Demokratike në opozitë.

Dhjetorin e kaluar, Gjykata e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit (SPAK) mori vendim që ish-kryeministri të jetë në arrest shtëpie, ndërsa po hetohet për dyshimin se ka shpërdoruar detyrën për t’i dhënë përfitime dhëndrit të tij.

Berisha i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se ato janë orkestruar nga Edi Rama, kryeministri aktual.

Ai e apeloi vendimin e “non gratas” nga Britania në një gjykatë të posaçme imigracioni. Apeli iu refuzua me bazën se ishte e drejta e sovrane e Britanisë të kontrollonte hyrjen përmes kufijve të saj.

Akuza për “Korrupsion pasiv”

Tashmë përmes dokumenteve në Shqipëri ka dalë se Berisha ka shpenzuar afro 500 mijë euro duke punësuar avokatë në Britani për çështjen e tij.

“Për qëllimin e këtij apelimi në SIAC [Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit] vajza e Berishës nga llogaria e saj bankare në vitin 2022 ka bërë një pagesë prej 72 mijë eurosh. Më pas në vitin 2023 një pagesë prej 250 mijë eurosh dhe pagesa e fundit prej 200 mijë eurosh”, thuhet në raportimin e “Telegraph” me një burim nga Shqipëria.

Nuk ka tregues se vajza e tij ka qenë e përfshirë në ndonjë prej aferave të korrupsionit.

Dokumentet rrodhën nga dosja me rreth 500 faqe si pjesë e çështjes që po hetohet nga SPAK-u.

Berisha po akuzohet nga prokurorët e SPAK-ut për “korrupsion pasiv”, vepër penale që dënohet maksimalisht deri në 12 vjet burgim në rastet kur vërtetohet se personi ka përfituar direkt ose indirekt nga veprimet e paligjshme. Gjykimi pritet të nisë së shpejti.

“Kërcënim akut” për Britaninë e Madhe

Rasti i Berishës zbuloi se Zyra e Jashtme dhe Zyra e Brendshme britanike kanë nisur projekt sekret për të ndaluar bosët shqiptarë të krimit që veprojnë në Britani.

Qëllimi është të dobësohen kërcënimet e paraqitura nga grupet e krimit të organizuar dhe të mbrohen interesat e Britanisë në rajon.

Dokumenti ligjor i Zyrës së Brendshme nuk përmendte Berishën, por i përshkroi bandat shqiptare si “kërcënim akut” për Britaninë. Bandat shqiptare thuhet se janë lojtarë të rëndësishëm në tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar (MB) dhe “shumë të përhapur në krimin e rëndë dhe të organizuar” në Britani, duke përfshirë kontrabandën e njerëzve dhe trafikimin seksual.

Dokumenti tregon se një në tetë të burgosur në Britani janë shqiptarë – që do të thotë se janë kombësia e huaj me më së shumti të burgosur në MB.

Në dokument flitet edhe për lidhjet midis politikës dhe krimit në Shqipëri të cilat krijojnë “mjedis në të cilin kriminelët dhe bosët e krimit mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike dhe ligjore e politikanëve”.

Kjo mbrojtje politike u siguron bandave rrugë shtesë për të pastruar paratë dhe u mundëson atyre të përdorin Shqipërinë si “strehë të sigurt nga e cila mund të operojnë”, thuhet në dokumentim e Zyrës së Brendshme britanike.

“Në këmbim, bandat do të ndihmojnë politikanin gjatë zgjedhjeve duke blerë vota dhe duke frikësuar votuesit”, vijon tutje dokumenti.

Projekti i qeverisë britanike synon të prishë këto lidhje duke bashkërenduar veprimet kundër personave të ekspozuar politikisht në të gjitha anët e politikës shqiptare.

Përfaqësuesit e Berishës janë kontaktuar për koment.