Sot Ukraina shënon 1000 ditë nga fillimi i luftës dhe deri më tani kanë vdekur mijëra qytetarë ukrainas dhe më shumë se gjashtë milionë njerëz jetojnë si refugjatë. Popullsia e Ukrainës ka rënë me një të katërtën që kur presidenti rus Vladimir Putin nisi sulmin, i cili, sipas The Guardian, është konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Siç kujton “The Guardian”, Kremlini hodhi poshtë planin për paqe të propozuar nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili supozohej të prezantohej në samitin e G20 në Brazil.
Plani parashikonte ngrirjen e konfliktit në pozicionet aktuale të të dyja palëve. Sipas raporteve, plani i Erdogan përfshin: ngrirjen e frontit, angazhimin e Ukrainës që të mos anëtarësohet në NATO për dhjetë vitet e ardhshme, furnizimin e Ukrainës me armë për mbrojtje dhe vendosjen e paqeruajtësve ndërkombëtarë në zonën tampon të demilitarizuar në Donbas. Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë raportimet për propozimin e Erdoganit, duke e quajtur atë “të pabazë” dhe se ishte një kusht që do të ishte “i papranueshëm” për Rusinë.
Mediat botërore, duke përfshirë Reuters dhe New York Times, raportuan të dielën se administrata e presidentit amerikan në largim Joe Biden autorizoi Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë ATACMS për sulme thellë në territorin rus.
Ndërsa, Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë konfirmuar këtë informacion./abcnews.al/