Lajmest-slider

Thaçi: Heshtja e ndërkombëtarëve ia hapi gojën Vuçiqit që të mohojë masakrën e Reçakut

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar sot kompleksin memorial në Reçak.

Pas homazheve, Thaçi ka thënë se masakra e Reçakut është pika kulminante e gjenocidit serb në Kosovë.

“Sot është dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, për çka shteti i Kosovës, po punon maksimalisht që të respektohen në kuptimin më afirmativ dhe plotësisht në standardet më të larta të të drejtave të njeriut në Kosovë po në të njëjtën kohë ne gjithmonë duhet të kujtojmë të kaluarën, që të ecim sigurt përpara, pa dallimin e shtetit e në të njëjtën kohë për të ardhmen tonë euroatlantike, sot kam zgjedhur që të vizitojë Reçakun, që është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë, që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë, në kuadër të gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka përmendur masakrat e kryera në vend, të vrarët e të dhunuarit gjatë luftës së fundit nga shteti serb.

“Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra, kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë rreth 1mijë e 300 fëmijë, e ka dhunuar rreth 20 mijë gra, kemi rreth 13 mijë civilë të vrarë, Recaku shënon pikën kulminante të masakrave e të krimit, të kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë”, është shprehur ai.

Derisa ka folur për deklaratat e liderëve serb për këtë masakër, Thaçi ka thënë se ata që kryen krimin nuk kanë dalë ende para drejtësisë si dhe se duhet kërkuar falje. Presidenti ka falendëruar edhe ambasadën e Zvicrës.

“Unë dëshiroj të falënderoj ambasadën e Zvicrës që ka qenë e saktë në deklarimet e veta sa i përket masakrës në Recak, ndërsa duhet të theksoj se krimi i kryer në Reçak pra krimi kundër njërzimit është vlerësuar edhe nga ambasadori Walker, është krim masakër.  Serbia ka kryer gjenocid për fat të keq ata që kanë kryer gjenocid nuk kanë dal ende para drejtësisë.

E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet edhe madje duke etiketuar dhe fyer të vrarë në Kosovë e kanë kryer krime edhe në Bosnjë dhe në Kroaci. E ardhmja ndërtohet duke pranuar fajësinë dhe kërkuar falje lidershipi i Serbisë. Heshtja e ndërkombëtarëve ia ka hapur gojën dhe e ka amnistuar lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë të mohojë këtë krim”, ka deklaruar Thaçi.