Botë

Tetë orë fluturim, për të aterruar 136 km larg nga je nisur

Pasagjerët e fluturimit të Lufthansa-së nga Frankfurti për në Nju Jork kaluan një ditë tejet zhgënjyese, kur avioni i tyre u detyrua të kthehej mbrapa, pasi kishin arritur mbi Atlantik.

Aeroplani fluturoi për tetë orë por përfundimisht u ul në Këln, 136 kilometra nga ku u ngrit.

Zëdhënësi i Lufthansa-së tha që aeroplani ishte mbi Atlantik, pranë Irlandës, kur ekuipazhi e kuptoi se kishte një defekt në sistemin hidraulik. Ai tha se vendimi për ta kthyer aeroplanin nuk ishte për shkak të një emergjence, por ishte një ‘masë parandaluese’.

Por pasi aeroporti i Frankfurtit është i mbyllur nga ora 23:00- 05:00, mëngjesin e djeshëm aeroplani u drejtua në Këln dhe pasagjerët u bartën me autobusë përsëri në Frankfurt.

Ai tha se aeroplani bëri aterrim të sigurt dhe se nuk kishte probleme në Këln, përkundër shqetësimit për sistemin hidraulik.

Në një incident të ngjashëm, pasagjerët në një fluturim të aviokompanisë KLM, në nëntor, u detyruan të durojnë një udhëtim 11-orësh që përfundoi duke aterruar pikërisht aty ku filloi, për shkak të shpërthimit të një vullkani.

Fluturimi filloi në aeroportin e Shipolit në Amsterdam dhe e bëri rrugën deri në lindje të Kanadasë, kur ekuipazhi kuptoi për një shpërthim vullkanik në Meksikë. Kjo nënkuptonte se aeroplani nuk do të mund të aterronte në destinacion. Aeroplani u kthye drejt Amsterdamit.

Linja ajrore holandeze KLM tha se ‘ulja në një aeroport tjetër nuk ishte e mundur për shkak se udhëtarët nuk kishin viza dhe pasi në bord kishte një ngarkesë të madhe kuajsh’.