Lajme

Testimi i (pa)dëshiruar i mësimdhënësve

By GAZETA SCANNER 1

May 03, 2023

Testimi i mësimdhënësve i propozuar nga Ministria e Arsimit hapi polemika në vend.

Ky testim sipas Ministrisë së Arsimit ka për qëllim ngritjen në karrierë por edhe paga më të mëdha.

Por, lidhur me këtë proces ndryshe mendojnë mësimdhënësit.

Elvira Osmani, mësimdhënëse e gjuhës shqipe në shkollën fillore “Asim Vokshi” në kryeqytet thotë se janë testuar tash e sa kohë dhe nuk e sheh të nevojshme një gjë të tillë.

“Ne vlerësohemi çdo dite duke u bazuar në rezultate në shkollë… Jemi vlerësuar nga Drejtoria MA, e inspektorët… Jemi testuar me vite të tëra gjatë ngritjes tonë akademike në universitetin e Prishtinës, është një periudhë e kryer…”, tha ajo.

Të njëjtin mendim e ndanë dhe drejtori i kësaj shkolle, Nazif Jashari.

“Ata kanë një mendim jo të mirë nuk e përkrahin testimin, ndërsa për vlerësimin nuk është asnjë që nuk e përkrah…”, u shpreh ai.

Gjithë këtë po e kundërshtojnë përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jashari thotë se një test i tillë për mësimdhënësit do të ishte nënçmues dhe degradues për ta.

“SBASHK-u  ka qenë dhe mbetet kundër testimit të mësimdhënësve, apel mos me hy në test të tillë, është degradues dhe nënqmues jo pse i friksësohemi … test me shkrim të njohurive kurre, vlerësim po…”, tha Jashari.

Njohësi i fushës së arsimit, Ismet Potera konsideron se në rast se bëhet testimi duhet të i nënshtrohen të gjithë, jo të jetë me preferenca.

“Është një proces që duhet të i nënshtrohen të gjithë mësimdhënësit, sepse duam të përparojmë në cilësinë e mësimdhënësve…”, tha ai.

Përplasjet ndërmjet Ministrisë dhe mësimdhënësve lidhur me testimin e mundshëm të këtyre të fundit kanë filluar qe një kohë të gjatë.