Lajme

Tërnava falënderon Turqinë për ndihmën që i ka ofruar Kosovës

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës,  Naim Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Me këtë rast, Tërnava i ka dëshiruar mirëseardhje ambasadorit Sakar dhe e ka falënderuar për vizitën duke e njohur me organizimin e BI-së së Kosovës.

Ai ka falënderuar përmes ambasadorit, Republikën e Turqisë për ndihmën që i ka ofruar Kosovës gjatë dhe pas luftës si dhe në lobimin që bën Turqia që shteti ynë të njihet edhe më shumë në skenën ndërkombëtare si dhe për integrimin e Kosovës në mekanizma rajonalë dhe në ata ndërkombëtarë.

“Ne shprehim konsideratën tonë ndaj Republikës së Turqisë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës gjatë ngjarjeve më të rëndësishme për lirinë dhe për shtetndërtimin e saj”, ka thënë ndër të tjera Tërnava.

Myftiu Tërnava po ashtu ka vlerësuar lart bashkëpunimin me shtetin mik të Turqisë, duke theksuar ndihmën në shumë fusha si në jetën ekonomike, kulturore, sociale, edukative dhe për këtë ndihet falënderues dhe mirënjohës për popullin dhe për qeverinë turke.

Nga ana e tij, ambasadori turk Çagri Sakar, ka premtuar se Turqia si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës do të vazhdojë të ndihmojë në projekte në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe do të angazhohet edhe më fuqishëm për integrimin e Kosovës në mekanizma rajonalë dhe në ata globalë.