Tërmkolli: LDK është shndërruar në parti aksionare

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, në 30 –vjetorin e themelimit të LDK, ka shkruar se LDK nuk është në identitetin rugovian.

“Në 30 vjetorin e saj, LDK-ja është gjithçka tjetër, përveç LDK identitare rugoviane”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

Sipas saj, udhëheqja e saj e “ngushtë” për mëse 10 vite ia ka shpërfytyruar shpirtin dhe trupin e saj deri në “zhbërje”. “E kanë shëndërruar LDK-në në një shoqëri aksionare të tyre dhe bëjnë ҁfarë të munden e çfarë të duan me të. Të mjerë e frikacakë, shërbëtorë të së keqes, e degdisën LDK-në nga partia e lëvizja më e fuqishme politike, prijëse e proceseve më të mëdha e më të rëndësishme të Kosovës, në një parti të uzurpuar e të ngulfatur për interesa personale e klanore të tyre dhe të nënshtruar ndaj çdo interesi të të tjerëve”, shkruan ajo.

Postimi i saj i plotë:

LDK, në 30 Vjetor!

Në 30 Vjetorin e saj, LDK-ja është gjithçka tjetër, përveç LDK identitare Rugoviane. Udhëheqja e saj e “ngushtë” për më se 10 vite ia ka shpërfytyruar shpirtin dhe trupin e saj deri në “zhbërje”. E kanë shëndërruar LDK-në në një shoqëri aksionare të tyre dhe bëjnë ç‘farë të munden e ç‘farë të duan me të. Të mjerë e frikacakë, shërbëtorë të së keqes, e degdisën LDK-në nga partia e lëvizja më e fuqishme politike, prijëse e proceseve më të mëdha e më të rëndësishme të Kosovës, në një parti të uzurpuar e të ngulfatur për interesa personale e klanore të tyre dhe të nënshtruar ndaj çdo interesi të të tjerëve.

Është koha për ringritjen e LDK-së Rugoviane, LDK-së së interesave të Kosovës, LDK-së që punon për Kosovën, integrimet shqiptare e evropiane thellësisht perëndimore, LDK-së së guximit politik kombëtar, LDK-së së kulturës politike demokratike, LDK-së përbashkuese rreth ideve e idealeve shtetërore kombëtare, vlerave të lirisë dhe vlerave më të larta njerëzore.

Po të duam, po të bëhemi bashkë, po ta kemi përnjëmend, LDK-në tonë e bëjmë të tillë, për vendin tonë, për të ardhmen tonë!