Op/Ed

Tentim pervers i LDK-së ndaj qeverisë Kurti – Osmani

Shkruan Ekrem Krasniqi, Bruksel  

 – Krerët e LDK-së dje, me propozimin për rezolutë lidhur me nënshkrimin me vetveten i ish-kryeministrit Avdullah Hoti në Washington, kanë bërë një ndër kalkulimet dhe taktikat e moçme të saj perverse dhe dinake ndaj kundërshtarëve politik, në këtë rast ndaj qeverisë së VV-së të Albin Kurtit dhe listës Guxo të Vjosa Osmanit. 

– Kosova dhe populli i saj duhet që të garojnë me sukseset / arritjet e të tjerëve në secilin sektor e jo të garojnë me të kaluarën e vetvetes. 

Në vend që bashkë me partitë e tjera të opozitës t’i bëjë presion pushtetit për tema krejtësisht tjera që kanë të bëjnë me gjendjen e dobët ekonomike dhe sidomos mungesën e planeve konkrete për tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës në sektorin privat, LDK-ja të premten dëshmoi dhe konfirmoi se edhe përkundër ndërrimit të disa emrave në krye të saj, ajo do të vazhdojë politikë-bërjen me mentalitetin e saj të vjetër aspak konstruktiv.  

E njëjta vlen edhe për partitë e tjera opozitare të cilat që kur u ndërrua pushteti nuk po ia arrijnë të ndërtojnë një qasje përmbajtjesore kritike dhe të rregullt për temat kryesore që kanë të bëjnë me ekonominë dhe mirëqenien afatgjate ekonomike-sociale të qytetarëve të vendit. 

Propozimi pervers – propozim rezoluta për nënshkrimin e Avdullah Hotit në Washington 

Hapi i mençur dhe konstruktiv nga LDK-ja dhe partitë e tjera nga opozita në këtë rast, do të duhej të ishte që të kërkohet nga Gjykata Kushtetuese mendimi / vlerësimi zyrtar nëse disa pjesë të nënshkrimit (me vetveten) të Hotit janë apo nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.  

Kjo ka të bëjë për zotimin për mos-aplikim për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, sepse ka të bëjë me afirmimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, dhe hapjen e derës Serbisë për pjesëmarrje në negociata dhe vendimet për Ujmanin dhe Hidrocentralin mbi të në afërsi të Mitrovicës, ende pa e njohur shtetin e Kosovës. E para është shkelje e sovranitetit të shtetit të Kosovës ndërsa e dyta është hapje e derës për përzierje në çështjet e brendshme ekonomike/energjetike të Kosovës e një shteti i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës.  

E treta me radhë e këtij nënshkrimi në Washington është edhe zotimi i Hotit dhe qeverisë së tij – bashkë me AAK-në e Nisma-në – për t’iu bashkëngjitur ‘mini-Schengenit’ tash “Ballkani i Hapur’, për të cilin as atëherë nuk pati e as tash nuk ka pajtim midis partive politike. 

LDK-së, dhe krejt partive të tjera opozitare jo vetëm që iu është prishur Busulla dhe Termometri, por veprimet sikur ky i djeshmi bëhen qëllimshëm që të sulmohet e të etiketohet qeveria aktuale për kinse ‘anti-amerikane’.  

Shihni deklaratat qesharake ngucakeqe të deputetëve dhe anëtarëve të LDK-së tash pas dështimit të tentimit për rezolutën e cila është krejtësisht e panevojshme. 

E kaluara me nënshkrimet e ngjashme 

E njëjta LDK bashkë me PDK-në e AAK-në e kanë votuar në vitin 2013 ( me prill 19 prill, pos Vjosa Osmanit dhe Jakup Krasniqit Asociacionin e dëmshëm të komunave serbe) dhe qeveria LDK-PDK e kanë nënshkruar versionin e shtuar në 2015 ( të cilin për fat Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë), duke i dhënë penalti Serbisë dhe shënuar Kosovës autogol, e pastaj të njëjtat parti thirren në po të njëjtat nënshkrime dhe votime si “obligim ndërkombëtar” që u dashka përmbushur/zbatuar.  

Pas kërkesës së Isa Mustafës që versioni i Asociacionit serb (AKS) nënshkruar në 2015 në Bruksel të skanohet nga Gjykata Kushtetuese, është dashur tash nga pikërisht LDK-ja dhe PDK-ja të kërkohet e njëjta gjë edhe për  disa pjesë të asaj që ka nënshkruar Hoti (qeveria LDK-AAK-Nisma) në Washington. 

Por kjo nuk ndodhi. Prandaj tentimi i së premtes për rezolutë është jashtëzakonisht hap i ulët,  dinak e pervers i qyqarëve fjalaman që fshihen pas fjalorit tashmë banal e po aq qesharak të “anti-amerikanizmit”. 

Pushtetet e kaluara ia kanë lejuar Serbisë nëpërmjet nënshkrimeve të 2013 dhe 2015 ndërhyrjen klasike në punët e brendshme të Kosovës dhe vazhdojnë që të kërkojnë ende ndërhyrje të njëjta nën petkun e mbrapshtë të “obligimeve ndërkombëtare” me një shtet i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe i cili është në ofensivë tash e disa vite për të dërmuar dhe shkatërruar shtetin e Kosovës. 

Destruktiviteti i kësaj opozite aktuale nuk meriton ndonjë emërtim tjetër pos Dinakëri e Ulët Qesharakisht Perverse. Mentalitet i të nënshtruarve dhe i servilëve prej dhelpre dinake është ky, dhe asgjë tjetër. 

Është kjo, një arsye më shumë pse kjo opozitë me këtë lloj mentaliteti destruktiv, përkundër promovimit të disa emrave të rinj nëpër poste partiake, është në rënie të shpejt të përkrahjes.  

Në pritje të një kritike/presioni konstruktiv për ekonominë, investimet e huaja 

Qasje e parë pozitive dhe konstruktive e opozitës në këto momente do të ishte që ajo t’i bëjë presion pushtetit aktual për marrjen e vendimit pa u vonuar shumë për gazin amerikan LNG përmes Greqisë ( me kusht që Greqia në shkëmbim ta njoh Kosovën), e nëse jo, atëherë fillimin e bisedimeve pa u vonuar me Shqipërinë dhe shtetin dhe kompanitë amerikane për marrjen e gazit përmes portit në Vlorë. 

Qasje pozitive e dytë me radhë, gjithnjë në kuadër të ekonomisë, do të ishte edhe presioni ndaj Kryeministrit Kurti për krijimin e një ekipi qeveritar që do të merrej vetëm me tërheqjen e investimeve të huaja…  

Pse, p.sh. kjo opozitë nuk i bënë presion Kryeministrit Kurti të emërojë një Zv. Kryeministër për Investime të Huaja, i cili do të merrej me ekipin e tij dhe njerëzit e posaçëm të ngarkuar që duhet dërguar nëpër ambasadat e Kosovës (promovues ekonomik, apo agjent investimesh-apo emërtim tjetër..)  për tërheqje të investimeve (ang. FDI) në Kosovë, për hapje fabrikash për prodhim në industri, energji – hapje plantacionesh për prodhim rryme me diell, erë (pos dy që ka aktualisht) – e prodhime të të gjitha llojeve të tjera, për krijimin e vendeve të reja të punës së sektorin privat. 

Ka përplot tema e çështje të tjera kësaj natyre për ndryshime në ekonominë e vendit, sistemin e arsimit, shëndetësisë, rend e ligj…etj…me të cilat duhet që të merren edhe partitë opozitare si presion-bërëse ndaj pushtetit, e jo harxhim i kohës dhe energjisë me tentativa perverse dhe të kota si kjo e djeshmja e LDK-së. 

Vetëm një ilustrim krahasues i vogël se ku e kanë sjellë gjendjen e ekonomisë ( lexo eksportit të Kosovës në raport me vendet e tjera) gjatë 22 viteve të qeverisjes PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma e AKR-ja:   

Kosova edhe në vitin 2020 ishte në deficit tregtar edhe me Malin e Zi. Kosova ka eksportuar mallra në vlerë 18,577 milion Euro, ndërsa ka importuar 24,331 milion Euro, pra ndodhet në deficit prej 5,777 milion Euro me Malin e Zi 628,000 banorësh. 

Krahasimet e këtij lloji me vendet e tjera të rajonit në këtë rast janë të tepërta dhe dëshpëruese.  Këto shifra flasin vet se në çfarë gjendje ekonomike/prodhuese dhe eksportuese është Kosova në raport me vendet e tjera të Ballkanit 22 vite më pas përfundimit të luftës. 

 “Kosova kurrë nuk ka qenë më mirë”, është përgjigja e shpeshtë e atyre që ishin në pushtetet e kaluara. Kjo fjali dëshmon se të njëjtit që u sollën nëpër pushtet plot 22 vite i kanë ndrydhur e kufizuar ambiciet për Kosovën dhe popullin e saj, sepse e krahasojnë të tashmen me të kaluarën si defensivë ndaj kritikave për dëmet e mëdha që ia kanë bërë Kosovës në të gjithë sektorët. 

Por, e ardhmja e shëndoshë dhe e qëndrueshme nuk ndërtohet me këtë metodë krahasimi.

E ardhmja e shëndoshë dhe e qëndrueshme ndërtohet duke pasur ambicie për të ardhmen, duke përcaktuar synimet dhe objektivat afatgjate, duke garuar me fanatizëm ndaj atij që punon më mirë se ti dhe ka rezultate më të mira se ti.  

“Garimi/konkurenca e shton cilësinë”, është formula dhe metoda e njohur në ekonomi. Kjo formulë dhe metodë në të njëjtën kohë është edhe më e mira për të ndërtuar të ardhmen shëndoshë e të qëndrueshme të një vendi, shoqërie dhe populli.  

Kosova dhe populli i saj duhet që të përgatiten që të garojnë e konkurojnë me sukseset / arritjet e të tjerëve në secilin sektor e jo të vazhdojnë që të garojnë me të kaluarën e vetvetes.  Për këtë së pari duhet rritur kapacitetet prodhuese dhe eksportuese në të gjithë sektorët e industrisë. 

E keqja ka fund, e mira jo. 

(Autori është themelues i agjencisë së lajmeve dtt-net.com)