Lajme

Tenderi për ushqimin e FSK-së sekret shtetëror, ministri Maqedonci: Kemi anuluar disa vendime

By GAZETA SCANNER

September 26, 2024

Shumë bujë është bërë për tenderin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe disa vendimeve kontradiktore që u raportua se u morën nga zëvendës ministri, Shemsi Syla.

Tani shefi i tij, ministri Ejup Maqedonci, në një intervistë për Dukagjinin, nuk e ka mohuar se zëvendësi i tij, mori vendim që ta shpall këtë tender sekret shtetëror.

Tërthorazi ai e pranoi se kjo ka ndodhur e që ai e ka anuluar këtë vendim.

“Ka qenë proces më i gjatë, ka pasur nënshkrime të vendimeve të ndryshme, edhe anulime të vendimeve të ndryshme, po më saktësisht kjo nuk është në interes për të u prezantuar, në interes për të u prezantuar është rregullsia e procesit tek rezultati final”, ka thënë Maqedonci.

Maqedonci tha se tenderin për ushqimin e ka fituar një kompani por ajo nuk është nënshkruar dhe se tenderi është në auditim të brendshëm të Ministrisë.

“Aktualisht nuk është nënshkruar kontrata për të cilën është thënë që është nënshkruar për ushqimin, është publikuar fituesi dhe jemi në procedurë të auditimit të brendshëm të komplet procesit, dhe mund të them me plotë përgjegjësi që unë nuk nënshkruaj asnjë kontratë apo dokument i cili ka element të shkeljeve ligjore ose procedurale, dhe në këtë jam i vendosur dhe do të vazhdoj të mbetëm i tillë”, ka shtuar Maqedonci.

Maqedonci foli edhe për raportin me zëvendësin e tij, Shemsi Syla.

“Unë nuk kam probleme me askënd, për mua është e rëndësishme që të ushtroj detyrën e ministrit të Mbrojtjes, normalisht ne mund të kemi moskuptime, në kuptimin dakordim për ndonjë çështje të caktuar, mirëpo kjo nuk përbën problem”, ka shtuar ministri.

TV Dukagjini ka provuar të flas me zv.ministrin Syla, megjithatë gjatë të mërkurës nuk ishte i qasshëm. Por, ditë më parë, ai mohoi këto në debat, duke i quajtur spekulime.