Më 28 gusht të 2024-tes, Qeveria e Kosovës pati miratuar Projektligjin për Sigurimin e detyrueshëm Shëndetësor, i cili duhej të dërgohet në Kuvend për aprovim.
Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga miratimi, ky projektligj ende nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se projektligji e ka marr dritën jeshile nga Qeveria, tash pritet edhe nga Kuvendi.
“Projektligji për Sigurime Shëndetësore pas aprovimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas rregullave është dërguar për procedurat e mëtutjeshme të miratimit nga Kuvendi i RKS-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Premtimi i partisë në pushtet se do ta realizojë Ligjin për Sigurimet Shëndetësore gjatë këtij mandati është përcjellë me dozë mosbesimi nga opozita.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Burime Meta, thotë se Ligji për Sigurime Shëndetësore është në proces të ardhjes në Kuvend.
“Ligji është në proces të ardhjes në Kuvend për miratim, në Komision e kemi votuar për me ardh në seancë”, u shpreh Meta
Armend Zemaj, ish- ministër i Shëndetësisë, ka folur për “Front Online” lidhur me Projektligjin e Sigurimeve Shëndetësore.
Zemaj deklaroi se ky ligj kërkon angazhim të madh gjë që VV-ja, siç thotë ai, s’mund ta bëjë.
“Funksionalizimi i këtij ligji kërkon vullnet të fortë politik dhe angazhim të madh të shumë kapaciteteve shtetërore, diçka që fatkeqësisht qeveria e VV-së nuk mundet ta bëjë”, thotë Zemaj.
Deputeti Zemaj thotë se ardhja e Projektligjit të ri në Kuvend është fushatë e ‘Vetëvendosjes’.
“Këta nuk kanë arritur t’i kalojnë formalisht as ligjet më të thjeshta të sektorit të shëndetësisë në Kuvend, veprimet e fundit të sjelljes së projektligjit gjoja të ri për sigurime shëndetësore në Kuvend janë puro fushatë politike”, deklaron Zemaj.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e “Partisë Demokratike të Kosovës”, Bekim Haxhiu ka kritikuar Qeverinë për mos funksionalizimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Haxhiu tha se ky ligj nuk u miratua, pasi që, siç thotë ai, fokusi i VV-së ka qenë tek tenderët.
Sipas tij, pushteti dështoi qëllimshëm për shkak të interesave të grupeve të tyre.
“Premtimi për Sigurime Shëndetësore nuk u realizua sepse pushteti ka qenë i angazhuar pas tenderëve në MSH. Ky mund të konsiderohet dështim i qëllimshëm për shkak të interesave të grupeve të interesit në dëm të qytetarëve”, u shpreh Haxhiu.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është anëtar në Komisionin për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, nuk pret nga Qeveria ta realizoj premtimin për Sigurimet Shëndetësore.
Dreshaj thotë se pushteti aktual është në fund të mandatit dhe nuk ka kohë për këtë Ligj.
“Partia në pushtet ka ardhë me premtim të këtij ligji. Ky Ligj nuk mund të realizohet se nuk ka afate kohore, mund të realizohet vetëm duke lënë barrë buxhetore për qeverisjen e ardhshme”, theksoi Dreshaj
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se Kosova nuk ka nevojë për ligj të ri për Sigurime Shëndetësore.
Pasi sipas tij, është ai i para 10 viteve.
“Kosova nuk ka nevojë për ligj të ri në këtë lëmi në situatën kur ligji në fuqi, qe dhjetë vite prej kur është miratua, asnjëherë nuk është tentua të zbatohet”, deklaron Agani.
Agani shprehet se mungesa e vizionit reformues të Qeverisë ka ndaluar zbatimin e këtij ligji.
“Arsyeja kryesore e mosfunksionalizimit të ligjit në fuqi për sigurime shëndetësore është mungesa e plotë e vizionit reformues të qeverisë dhe moszbatimi i ligjit për shëndetësi veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me SHSKUK”, thotë Agani.
Tutje, Agani thotë se për t’i tejkaluar vështirësitë në Shëndetësi ka vetëm një rrugë.
“Rruga e vetme e drejtë për tejkalimin e vështirësive evidente në sektorin e shëndetësisë është vazhdimi i reformës së sektorit të shëndetësisë të filluar gjatë mandatit tim, nëpërmjet amandamentimit të ligjeve ekzistuese në fuqi për shëndetësi dhe për sigurime shëndetësore”, deklaroi Agani për “Front Online”.
Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi për shkak se shefi i atëhershëm i UNMIK-ut nuk e nënshkroi atë. Një vit më vonë pas shpalljes së pavarësisë, ligji për sigurim shëndetësore u tërhoq për shkak të buxhetit. Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por nuk u zbatua.
Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar se do të niste që nga 1 korriku i vitit 2017.
Atëkohë, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 17 milionë euro, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.