Lajme

“Telalli i Beogradit”- Shqiprim Arifi i kundërpërgjigjet Bislimit pasi ky i fundit paralajmëroi padi ndaj tij në Kosovë e Gjermani

By GAZETA SCANNER 1

June 21, 2023

Faton Bislimi, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka paralajmëruar se do ta padisë për shpifje Shqiprim Arifin, kryetarin e Komunës së Preshevës, i cili mbrëmë e quajti  hajn ish-deputetin e LDK-së, duke hedhur ndaj tij akuza të rënda.

Bislimi, sot shkroi në Facebook se avokati i tij, Sherif Sherifi “ka proceduar me padi për shpifje ndaj Arifit në gjykatë”.

Këtij paralajmërimi i është kundërpërgjigjur vet Arifi. Ai i tha Insajderit se nuk distancohet nga deklarimet e mëhershme.

Arifi ka ritheksuar se ka dyshime se 150 mijë euro janë keqpërdorur nga Faton Bislimi, familjari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Për 50 mijë euro, thotë ai se dihet edhe zyrtarisht se kanë përfunduar në llogari të Bislimit.

Sipas tij është absurde që 150 mijë euro të merren për 3 vizita.

…Ajo çka do të doja të sqaroja më mirë është pse pikërisht fondet e dedikuara për shqiptarët e Luginës duhet të derdhen në llogarinë bankare të familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi? Si 150 mijë euro për 3 vizita? Apo pse këto vizita nuk janë paguar nga buxheti i Këshillit Kombëtar apo Komuna e Bujanocit, por pse jo edhe nga buxheti i Komunës së Preshevës? Personalisht do të isha i gatshëm ti ofroja ndihmë në këtë çështje”, ka deklaruar Arifi teksa ka publikuar fotografi ku shihet se kompania  “Washington International Affairs Institute”, është e regjistruar në ARBK me 3 shtator të 2021-ës, e ku si pronar figuron emri i Bislimit.

Padia e deponuar sot në Kosovë, Bislimi tha se Arifit “do t’i bëhet edhe në Gjermani”, meqë ai mban nënshtetësinë gjermane.

I pyetur mbi këtë paralajmërim, Arifi duke ironizuar ka thënë se kësaj deklarate i përgjigjet me një të qeshur.

“I përgjigjem me një të qeshur”, tha ai.

Ndërkohë, Bislimi ka mohuar në tërësi akuzat e Arifit duke thënë se “Asnjëherë, unë nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga asnjë institucion qeveritar i Kosovës dhe krejt angazhimi im në SHBA për çështjen e Luginës – tash e mbi dy dekada – ka qenë për interes kombëtar dhe janë rezultatet e këtij angazhimi ato që flasin më së miri e me zërin më të lartë”.

Bislimi tha se akuzat e Arifit janë në shërbim ndaj Beogradit “dhe shefave të tij si Vulin e Vuçiq”.

“Telalli i Beogradit do bënte mirë të pyeste vetën, para se të tentojë të denigrojë personalitetin tim, se ku ishte e çfarë të mire bënte për shqiptarët e Luginës qysh më 2003, pra njëzet vite me parë, kur unë organizoja takimet e para të përfaqësueseve politikë të Luginës me delegacionet e SHBA-ve? Kur ky aksidentalisht arriti të bëhej kryetar komune njëherë, dhe herën tjetër me masa të dhunshëm nga Beogradi, pasi unë kisha gati 15 vjet angazhim në kauzën e Luginës së Preshevës, le ta pyes vetën ky pse refuzoi çdo takim për çështjen e Luginës, përfshirë në fillim edhe atë me Ambasadorin Walker më 2016?”

Akuza e Arifit ndaj familjarit të zëvendëskryeministrit

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka akuzuar Faton Bislimin se ka vjedhur para nga buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën. Për këtë, ai në muajin shkurt ushtroi edhe padi pranë Prokurorisë Speciale.

50 mijë euro pretendohet se janë deponuar direkt në llogarinë e kompanisë së kushëririt të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, Faton Bislimi si dhe person i afërt me krerët e Partisë së Veprim Demokratik (PVD).

Kompania e Faton Bislimi “Washington International Affair Institute” – po dyshohet të jetë hapur 8 muaj para ndarjes buxhetore të qeverisë.

Washington International Affair Institute L.L.C është kompani e hapur me datë 3 shtator 2021, pra 8 muaj para vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për transferimin e mjeteve. Kjo kompani figuron në emër të Faton Bislimit, Kushëririt të zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi dhe mik i liderëve te PVD-së i cili vitet e fundit i ka shpeshtuar vizitat në Luginë si dhe ishte shoqërues i përkohshëm i përfaqësuesve të Luginës në SHBA. Pra 50,000 euro të Fondit të Qeverisë së Republikës së Kosovës u bartën në llogari të Faton Bislimit respektivisht në kompaninë e tij Washington International Affair Institute L.L.C”, thuhet në kallëzim penal.

Nga ky konkurs dhe të tjerë sipas Arifit kanë përfituar akterë të LVV-se dhe PVD-së, njerëz partiak.

Njerëz që kanë lidhje me Ragmi Mustafin, Ardita Sinanin ish-kryetare e Preshevës, e ish-kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi.

Për udhëtimin në SHBA, thuhet se këshilltarja nga radhët e opozitës, Saranda Latifi ka kërkuar sqarim nga Ragmi Mustafa, Shaip Kamberi e Ardita Sinani se ku kanë shkuar mjetet financiare.