5.8 C
New York
Thursday, April 25, 2024

Buy now

Të zbuluarit e bashkë-emrit të rrugëve, reflektim pas ngjarjes

- Advertisement -

Shkruan: Cafo Boga

Vetëm dy ditë më parë me 15 Maj, komuniteti Shqiptaro-Amerikan u mblodh së bashku në një ceremoni të organizuar, të shoqëruar me flamuj dhe muzikë tradicionale shqiptare, për të festuar bashkë-emërtimin e një rrugë në seksionin e Italisë së vogël të Bronx-it me emrin: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ide e iniciuar nga ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj gjatë kohës së tij në detyrë dhe i ndihmuar nga shumë organizata dhe vullnetarë të komunitetit shqiptar, më në fund kjo dëshirë u plotësua. Kjo është rruga e tretë që merr emrin e personaliteteve shqiptare, më parë dy rrugë të tjera në Bronx u bashkë-emërtuan me emrat: “Nënë Tereza” dhe “Fan Noli”.

Ceremonisë iu bashkua edhe kryetari i bashkisë së New York-ut, Eric Adams, i cili me krenari theksoi: “Ne jemi shtëpia e komunitetit më të madh shqiptar në Amerikë. Ata janë pronarë biznesesh të vogla, familjarë që punojnë dhe punëtorë të vijës së parë që e bëjnë qytetin tonë më të gjallë. Është nder t’u bashkohem sot në Shqipërinë e Vogël në Bronx për të festuar rreth heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.” Në ceremoni morën pjesë edhe mjaft politikanë të tjerë vendas si: ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Ferit Hoxha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Lulzim Krasniqi nga Konsullata e Kosovës, të cilët lexuan mesazhet e kryeministrave të tyre. I ftuar për të marrë pjesë në këtë festë ishte edhe një grup arbëresh nga Italia i quajtur “Shqiponjat Grupo Folklorico”. Arbëreshët njihen si shqiptarët e Italisë të cilët përfaqësojnë një grup etnolinguistik shqiptar të përqendruar në fshatra të shpërndara të Italinë Jugore. Ata janë pasardhës të shqiptarëve të arratisur pas pushtimit Osman, veçanërisht pas vdekjes së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili luftoi osmanët dhe mbajti të lirë jo vetëm Shqipërinë, por për nje gjysmë shekulli pengoi osmanët të pushtonin Evropën. Për më shumë se 500 vjet, Arbëreshët arritën të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre, të cilën e shfaqën me krenari në këtë manifestim.

Pjesa e parë e programit u mbyll me zbulimin e tabelës së rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e vendosur në kënd të Crescent Avenue dhe Adams Place. Pas zbulimit të tabelës aktiviteti vazhdojë me një program kulturor dhe argëtues që përfshinte mbi 30 interpretues artistë dhe grupe folklorike të diasporës, të cilëve iu bashkuan më shumë se 50 vajza dhe djem të rinj të veshur me kostume kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare. Publiku, që llogaritet të ketë qenë me mijëra, u argëtua për më shumë se tre orë, duke shijuar edhe disa ëmbëlsira shqiptare apo duke blerë suvenire.

Nga të gjitha këndvështrimet, kjo ngjarje ishte një sukses i madh, pasi nuk është e lehtë të bashkosh të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan në NewYork për të mbështetur një ngjarje të vetme. Megjithatë, duhet thënë se vetëm emri i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, heroit tonë kombëtar me njohje ndërkombëtare, mund të bashkojë shqiptarët kudo, duke përfshirë edhe diasporën, për të mbështetur një ngjarje me rëndësi kombëtare pa ndërhyrje te ndryshimeve rajonale, politike, fetare që mund të ekzistojnë. Një matës tjetër që dëshmon suksesin e këtij eventi është mbështetja e drejtpërdrejtë financiare nga organizata dhe individë të komunitetit shqiptaro-amerikan që sipas listës së sponsorëve arrin në mbi 150,000 dollarë, pa përfshirë pjesëmarrësit në panair që kanë paguar drejtpërdrejtë për vendet e tyre, apo qindra vullnetarë që kontribuan kohën e tyre dhe dhanë çdo ndihmë për të mundësuar këtë ngjarje historike. Pas kësaj pyetja që shtrohet duhet të jetë: “Çfarë përfiton komuniteti shqiptar nga ngjarje të tilla?” Para së gjithash, ai bashkon komunitetin shqiptaro-amerikan gjithnjë në rritje në organizime që shfaqin krenarinë e tij kombëtare në një mënyrë shumë të organizuar dhe të spikatur. Kjo bën që politikanët lokalë dhe kombëtarë të shohin se ky komunitet po rritet në numër dhe po bëhet shumë i rëndësishëm për t’u injoruar. Këto evente bëhen një katalizator për gjeneratat e reja të komunitetit shqiptaro-amerikan, që të frymëzohen dhe të përfshihen në organizime që ruajnë dhe përcjellin trashëgiminë tonë të pasur kulturore apo ngjarje të tjera shoqërore dhe politike. Gjithashtu këto organizime i japin komunitetit shqiptaro-amerikan mundësinë të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdheun e ri të gjetur, që hapi dyert për qindra e mijëra shqiptarë që kërkonin t`u shpëtonin luftërave, vështirësive ekonomike, duke u dhënë atyre mundësinë të punojnë dhe ndërtojnë jetën në këtë vend të lirë ku mund të arrijnë të gjitha potencialet e tyre. Ai dërgon një mesazh të fortë për vendet në rajonin e Ballkanit që banohen me popullsi autoktone shqiptare, të cilët jetojnë në trojet e të parëve të tyre dhe që ende nuk mund të festojnë lirisht festat e tyre, nuk mund të kujtojnë heronjtë e tyre kombëtarë, të ngrenë flamurin e tyre kombëtar dhe të përdorin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Ndërkohë që këtu në Amerikë, shqiptaro-amerikanët jo vetëm janë të lirë, por inkurajohen të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe trashëgiminë kulturore në mënyrat më të mira.

Pyetja e dytë që duhet ngritur ka të bëjë me të metat e këtyre eventeve, pra me bashkë-emërtimin e një rruge me emrin e një Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Sipas mendimit tim, kjo minimizon rëndësinë e tij. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është njohur dhe nderuar që nga koha kur luftoi me sukses kundër osmanëve dhe është vlerësuar nga shumë vende të Evropës dhe Botës. Statujat e tij shfaqen me krenari në disa prej shesheve dhe rrugëve më të njohura në shumë qytete të rëndësishme të Evropës. Shqiptarët duhet të kenë kujdes të mos e teprojnë perdorimin e emrit të tij për qëllime politike dhe tregtare. Pavarësisht të gjitha anëve pozitive që përmenda më lart, bëni vetes këtë pyetje: “A i përket emri i Heroit tonë Kombëtar një tabele të vogël në një qoshe rruge në Bronx?”

Tani, le të themi diçka për bashkë-emërtimin e rrugëve që duken sikur kanë të njëjtën rëndësi si emri zyrtar, por nuk është kështu, prandaj mos u përpiqni ta kërkoni në Google akoma. Duke ecur nëpër rrugët e lagjeve të New York-ut, do të vini re se shumë rrugë mbajnë dy emra: emrin zyrtar që gjendet në hartë dhe emrin e një personi në tabelë. Përveç rastit kur emri i personit është i ndonjë figure të shquar historike ose kulturore që ka jetuar dhe punuar në qytetin e New York-ut, mund të pyesim veten se kush është ai person dhe çfarë kontributesh ka dhënë ai ose ajo për të merituar nderin. Sipas një artikulli nga Untapped New York , “Këto emra, të vendosur shpesh në tabela direkt nën ato kryesore, nderojnë një sërë individësh, grupesh ose organizatash që kanë pasur ndikime dhe kanë rëndësi të veçantë për një komunitet.” Artikulli i referohet më tej Bulevardit Bob Marley në Brooklyn, Joey Ramone Place në East Village, Gershëin në East Broadway dhe 58th Rruge. Rreth një e pesta e emrave të nderit të këtyre rrugëve u kushtohen viktimave të tragjedisë së 11 Shtatorit. Artikulli përmend se, sipas NewYork Times, planifikuesi i qytetit në pension, Gilbert Tauber, përpiloi një master listë jozyrtare të këtyre rrugëve me emra nderi në qytetin e New York-ut e cila atëherë arrinte në 1672 emra. Tauber vuri në dukje se kishte gjashtë vende ku emrat e nderit nuk mund të gjendeshin, domethënë ata janë zhdukur në një nje mënyrë apo një tjetër. Sipas një artikulli nga Shkolla e Gazetarisë CUNY , ata analizuan listën e lartpërmendur të emrave të nderit të përdorura për rrugët dhe ofrojnë një vështrim mjaft interesant në tendencat e bashkë-emërtimit. “Qyteti ka njohur një numër New Yorkers – disa të famshëm dhe shumë prej tyre të panjohur përtej kufijve të lagjeve të tyre. Bulevardet dhe rrugët, vendet dhe këndet në të gjithë qytetin ofrojnë një lloj testamenti për zjarrfikësit, mësuesit, vullnetarët e komunitetit dhe pronarët e bizneseve të qytetit. Krahasuar me emrat historikë të vendosura rrugëve të qytetit, të cilët priren të nderojnë burrat e bardhë, emrat e rinj të rrugëve pasqyrojnë një gamë shumë më të gjerë të përkatësisë etnike dhe të klasës shoqërore.” Grupi më i madh i individëve të nderuar janë të rënët, duke përbërë rreth 30 për qind të të gjitha rrugëve të bashkë-emërtuara të cilat përfaqësojnë njujorkezët që vdiqën në Qendrën Botërore të Tregtisë më 11 shtator 2001. Në këtë grup përfshihen edhe civilë që kanë vdekur aksidentalisht si pasojë e dhunës, sëmundjeve apo aksidenteve. “Grupi tjetër i madh i rrugëve me emrat e nderit mbajnë emrat e burrave dhe grave që dhanë kontribute mbi mesataren në komunitetet e tyre…27 për qind të emëruar nga njerëz ‘aktivë në komunitet’ përfshijnë individë që dolën vullnetarë për bamirësi, individë që luftuan për shkolla më të mira apo dhanë kontribute në forma të ndryshme për lagjet e tyre. Shumë prej tyre shërbyen për komunitetet e tyre si udhëheqës fetarë, anëtarë në bordet e komuniteteve apo pronarë biznesesh.” Në thelb, çdo lagje ka heronjtë e saj. Në bashkë-emërtimin e rrugëve nderuese, Manhattan-i i permbahet reputacionit të tij si qendër e arteve dhe kulturës. Queens-i është më i larmishëm etnikisht, ndërsa Bronx-i ka emëruar një përqindje më të madhe të rrugëve duke nderuar aktivistët e komunitetit, oficerëve të policisë dhe zjarrfikës.

Në mënyrë që një rrugë të marrë një emër nderi, aplikimet duhet të dorëzohen te Bordi Komunitar, së bashku me dokumentacionin përkatës të të nderuarit. Pasi të miratohet, Këshilli Bashkiak duhet të miratojë një projektligj që tregon se emri i rrugës është autorizuar dhe duhet të nënshkruhet nga kryetari i bashkisë. Sipas Bordit Komunitar të Manhatanit, më poshtë janë udhëzimet e përgjithshme të emërtimit të rrugëve:

“Kandidatët për emrat e nderit duhet të jenë të vdekur, duhet të kenë të paktën 10 vjet përfshirje në komunitet dhe duhet të kenë demonstruar një përkushtim dhe këmbëngulje vullnetare të jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme ndaj komunitetit, ose që kanë kontribuar ndjeshëm në qytetin e New Jork-ut apo jetën kombëtare dhe kanë jetuar ose identifikohen me këtë komunitet në mënyrë të dukshme. Megjithatë, mund të bëhen përjashtime për individët që vdesin në rrethana krimi, aksidente, sëmundje, rrethanave të tjera shoqërore, shërbim ushtarak apo situata të ngjashme, ose nëse vetë vdekja çon në një ndërgjegjësim më të madh brenda shoqërisë për shkakun e vdekjes. Bordi gjithashtu, sipas gjykimit të tij, mund të japë një emërtim kur propozuesi parashtron një arsyetim edhe nëse nuk i përmbahet këtyre rregullave.”

Tani që zbulohet e vërteta në lidhje me bashkë-emërtimin e rrugëve, vetë lexuesi të vendosë nëse Heroi Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu bën pjesë në mesin e gati 2000 “New Yorkers” të nderuar që vijnë nga të gjitha aspektet e jetës. Mendimi im personal është jo – ai meriton një vend dhe respekt shumë më të madh.

Pyetja tjetër që duhet të bëjmë duke marrë parasysh gjithçka që diskutohet këtu: “A ia vlen ky event gati gjysëm milion dollarë, duke përfshirë të gjithë kotributin publik, apo mundet që këto fonde të ishin përdorur më mirë? Përsëri, unë do ta lë lexuesin të japë mendimin e tij/saj, por mendimi im personal është se jo – Komuniteti Shqiptaro-Amerikan është në një fazë foshnjore kur vjen puna te marrja e rolit aktiv në politikë, biznes apo në shoqërinë qytetare, burimet tona janë të kufizuara prandaj duhet të menaxhohen me kujdes në mënyrë që të japin rezultate maksimale. Megjithatë, edhe unë dhe organizata ime Albanian American Cultural Foundation ishim një nga Sponsorët e Artë të këtij eventi, sepse besoj se komuniteti duhet të qëndrojë i bashkuar dhe se Mark Gjonaj, të cilin e konsideroj mikun tim dhe pjesë të familjes së gjerë, duhet të njihet për energjinë dhe përpjekjen e tij për të ndihmuar komunitetin shqiptaro-amerikan në Neë York, për ta arritur potencialin e tij. Por në të njëjtën kohë, ai duhet të jetë i kujdesshëm që të mos abuzojë me privilegjin dhe besimin që komuniteti i ka dhënë. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka shumë njerëz të zgjuar, prandaj mendimet dhe këshillat e tyre duhet të dëgjohen.

Në konkluzion të këtij artikulli, çdo aktivitet që përmirëson pozitën tonë kombëtare në botë dhe na bën të gjithëve krenarë është për t’u lavdëruar, por përpjekjet tona duhet t`i marrim sipas përparësisë. Si një komb pothuajse i masakruar, ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë deri në zhbërjen e padrejtësive që na janë bërë pas rënies së Perandorisë Osmane, duke integruar më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare në vendet fqinje dhe duke i pasuruar ato, ndërsa duke e lënë Shqipërinë një vend të vogël dhe të varfër. Për më tepër, vendet fqinje shkrinë identitetin, historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore në të tyren, duke e varfëruar edhe më tej identitetin shqiptar. Ne shqiptarët duhet të rizbulojnë veten dhe të rishkruajmë historinë e tonë, e cila është shkruar në të kaluarën nga të tjerët dhe është deformuar shumë për t’iu përshtatur narrativave dhe interesave të të tjerëve. “Nëse nuk e di se nga ke ardhur, nuk e di se ku po shkon” është një thënie e vjetër. Çdo shqiptar duhet të ketë respekt për të kaluarën, të jetë një person bashkëkohorë dhe të ecë përpara me besim dhe respekt për veten. Fatkeqësisht, ky besim duket se ende mungon, i cili reflektohet në nderimin e tepruar ndaj të huajve – duke u përkulur para tyre sikur të ishin ende nën pushtim. Ky vetëbesim mund të rifitohet vetëm nëpërmjet edukimit, kreativitetit dhe duke ndikuar pozitivisht në komunitetin ndërkombëtar. Shqiptarët janë natyrshëm një popull i guximshëm, paqedashës, të zgjuar dhe të aftë për të arritur çdo synim që i vendosin vetes – që dëshmohet qartë nga sukseset e mëdha të shumë prej atyre që u larguan nga vendi dhe tani jetojnë në mbarë botën. Problemi është se Shqipëria nuk ka arritur zhvillimin ekonomik apo politik të nevojshëm për t’i dhënë mundësi çdo shqiptari të arrijë potencialin e tij ne vendlinje dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre jashtë kufijve. Për të kontribuar në këtë drejtim, ka një nevojë të madhe për kërkime dhe studjime akademike të fokusuara në kuptimin më të mire ne: të së shkuarës së Shqiperise, si të menaxhohet e tashmja e saj, dhe si t’i ndërtohet një e ardhme më e mirë. Ky lloj kërkimi – i cili përfshin mbledhjen, interpretimin dhe vlerësimin sistematik të të dhënave në një mënyrë të planifikuar – mund të bëhet më së miri përmes arsimit të lartë dhe programeve të ofruara në universitetet më të mira kërkimore në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe gjetkë. Diaspora shqiptare mund të bëhet një kanal për ata që janë të interesuar në programet e kërkimit shkencor në Shtetet e Bashkuara, si dhe për të krijuar institute të ndryshme brenda dhe jashtë vendit për të gjeneruar kërkime, analiza dhe këshilla të orientuara drejt politikave mbi angazhimin vendas dhe ndërkombëtar. Këta hapa do t’u mundësonin politikëbërësve dhe publikut të marrin vendime të informuara për këto çështje. Kjo është arsyeja pse kërkohet një përpjekje e shumëfishtë dhe e përqendruar për të ndihmuar Shqipërinë të bëjë një zhvendosje paradigme nga e kaluara në të ardhmen – një proçes në të cilin diaspora mund të luajë një rol kyç. Megjithëse ne i duam këngët tona epike që tregojnë për të kaluarën tonë, ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë vetem me muzikë dhe duke u lavdëruar se kush jemi. Për të cituar Presidentin John F. Kennedy “Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju; pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.”

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit