Lajmest-slider

Të premten mbahet grevë dyorëshe në arsim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) me anë të një njoftimi për media ka bërë me dije se të premten do të mbahet një grevë dyorëshe në arsim.

SBAShK-u ka njoftur se me anë të kësaj punëtorët e arsimit në Kosovë do të shprehin kërkesën që pagat e dhjetorit t’i marrin në bazë të Ligjit të pagave.

“Këshilli Drejtues i SBAShK-ut pas diskutimeve të shumta e duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim, kanë autorizuar kryetarin e SBAShK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale. Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten (13.12.2019) mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave” është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.

Sipas këtij njoftimi, greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30. “Greva në Universitete greva fillon në orën 8 deri në orën 10. Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet”, është thënë në këtë njoftim.

SBAShK-u ka paralajmëruar institucionet përgjegjëse për zbatimin e Ligjit të Pagave, se greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale.