Lajme

Të hënën një shans më shumë për Kosovën, mundësi që agjenda e Komunitetit të Ministrave të ndryshohet

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2024

Kosova deri më tani nuk është pjesë e agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Në mbledhjen e 16 dhe 17 majit, pritej që të hidhet në votim kërkesa e shtetit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Mirëpo, nga Këshilli Evropës edhe njëherë e konfirmuan se kjo çështje nuk është e përfshirë.

“Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e ardhshme. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, tha zyrtarja për media e Këshillit të Evropës, Estelle Steiner.

Por, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se kjo agjendë mund të ndryshojë në minutat e fundit.

“Agjenda për mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova të marrë një vendim të guximshëm, aq më realiste është arritja e 2/3 së shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës!”, tha Rohde.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, thotë se shtetit të Kosovës iu është dhënë edhe një shans, për çka përmend edhe një datë.

“Afati kohor kur ka mundësi që të ndryshohet agjenda dhe Kosova të jetë pjesë është me datën 13 që i bjen ditën e hënë pasi që me datën 14 që është ditë e martë fillon mbledhja dhe nuk ka asnjë mundësi ditën e martë të bëhet ndryshimi”, tha Musliu Shoshi.

Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë se mosvotimi do të jetë rast i humbur për vendin.

Edhe më keq sipas Zemajt është vendosja në rend të dite dhe dështimi.

“Koha ka qenë e mjaftueshme që të merren hapa serioz në të kaluarën e afërt dhe në të kaluarën e afërt, sidomos pas marrëveshjes së keqe të Ohrit dhe gjitha kritikave që janë marrë, të gjitha sugjerimet që dialogu duhet të përfundoj me njohje reciproke dhe të mos kemi kushtëzime për anëtarësime, e mos të kemi kushtëzime për lëvizje të lirë dhe gjërat tjera. Ju tash po e shihni fare nuk flitet për njohje por ne po kalojmë në kushtëzime për anëtarësim sa i përket implementimit të Asociacionit ose dërgimit tash si draft për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa për draftin ju e dini, LDK-ja ka dhënë kritikat e saj, nuk pajtohet në ato pikat të cilat minojnë shtetësinë e Kosovës…”, tha Zemaj.

Kosova ka kaluar suksesshëm dy faza drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, në Komitetin për politikë dhe demokraci dhe votimi me shumicë votash në Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate. Aplikimi i Kosovës ishte bërë më 12 maj të vitit 2022.