Lajme

Taravari: Nëse Bujar Osmani kalon në raund të dytë, do ta mbështes

By GAZETA SCANNER 1

April 18, 2024

Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, kandidati për president Arben Taravari tha se nga takimet me qytetarët shqiptarë atje është kuptuar se ata kërkojnë ndryshim dhe rotacion politik.

“Është koha që të ndodhë rotacioni. Përndryshe qytetari shqiptar në Maqedoni prej vitit 2011 voton opozitën shqiptare, por opozita shqiptare nuk ka arritur që të bashkohet dhe është shpërndarë në dy tre grupacione. Ato bashkë kanë më shumë vota se sa partia aktuale që është në pushtet”, tha Taravari në “Prime” në RTK.

Ndërkohë bashkimin e disa partive shqiptare në koalicionin VLEN, Taravari e quan mrekulli.

“Për herë të parë ndodh në Maqedoni mrekullia. Të gjitha partitë opozitare bashkohen në një koalicionim të shqiptarëve e cila quhet VLEN dhe e cila pretendon në raundin e parë të zgjedhjeve nëpërmjet kandidaturës time ta paralajmërojë fitorën dhe finalen e madhe e kemi me 8 maj kur shpresojmë të ndodh rotacioni politik”, tha ai.

Duke folur për numrin e partive shqiptare në Maqedoni, Taravari tha se numri është i madh, por sipas tij ky fenomen është edhe në vende tjera të rajonit.

Megjithatë ai thekson se e rëndësishme është që aktualisht shqiptarët kanë vetëm dy kampe poltike si opsion për të votuar.

Por kreu i partisë Aleanca për Shqiptarët Arben Taravari, tha se nëse kandidati tjetër shqiptar për president Bujar Osmani kalon në raundin e dytë atëherë ai është i gatshëm ta mbështesë atë.

“Nëse kalon Bujari në raund të dytë, unë as që e diskutojë, përkrahjen time menjëherë ia kisha dhënë më para Bujarit se sa dikujt tjetër, nëse une kaloj në raund të dytë, besoj se edhe ai do ta bëjë një gjë të njejtë”, deklaroi ai.

Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, tutje foli edhe për problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë.

“Mbas shumë analizave që bëjnë shumë institucione ndërkombëtare për Maqedoninë, tregojnë se kemi inflacionin më të lartë në Ballkanin Perendimor, kemi zhvillim ekonomik më të vogël se të gjitha shtetet e rajonit, kjo qeveri është një regjim hibrid, ky ishte raporti i fundit i Freedom House, kemi ndikim të jashtëzakonshëm të Serbisë që është shumë e dëmshme dhe e kemi opozitën që kërkon shancin për të tregu qe mund të qeveriset më mirë, deklaroi Taravari.

Ai tutje tha se problemi bazë se pse të rinjtë migrojnë nga Maqedonia e Veriut është mungesa e besimit në institucione publike.

“Mbi një e treta e popullatës, tashmë është jashtë Maqedonisë”, potencoi Arben Taravari.