Lajme

Takimi i Kurtit me Vuçiqin “mund të përcaktojë” heqjen e masave, thotë Haliti i VV-së

By GAZETA SCANNER 1

June 25, 2024

Takimi në mes të kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vucic, mund të përcaktojë në heqjen apo mosheqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Kështu të paktën ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti.

“Agjendën nuk e di, përndryshe Kosova nuk e ka luksin që të humb mbështetjen që është ndarë për Ballkanin Perëndimor. Edhe heqja e masave konsideroj që lidhet me pjesëmarrje ose mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim të nesërm”,  ka thënë Haliti.

Për këtë takim ka folur edhe vetë Kurti, i cili, ka theksuar se do të jetë në funksion të rikapitullimit tre vjeçar të procesit të dialogut.

“Përveç tjerash takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilateral do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi trevjeçar, të shohim në çfarë gjendje ndodhemi, cilat janë idetë si mund të ecim përpara, për bindjen time të fuqishme marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale e aneksin e zbatimit të 18 marsit në Ohër e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen së paku defacto në qendër”, ka deklaruar Kurti.