Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit parasheh dhënien e “një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetit serb të Kosovës”. Dhe kjo përmes Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Draft-Statuti fillestar i të cilit shpaloset për herë të parë nesër në Bruksel nga Ekipi Menaxhues. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të jetë “i lumtur” të shohë se çfarë është përgatitur, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi “të mos më luajnë përralla rreth përputhshmërisë me Kushtetutën e Kosovës”.
Duke folur për agjencionin kroat të lajmeve “Hina”, kryeministri kosovar u shpreh se sa i përket obligimit të ndërmarrë në Bruksel dhe Ohër ajo do të përmbushet, “ekzistenca e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve”.
Megjithatë, vetëmenaxhimi në serbisht përkthehet në vetëqeverisje. Saktësisht për këtë ishte pyetur ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak. Ai, i ishte shmangur shënimit të një dallimi. Si?
“A shihni ndonjë kufizim në fjalën ‘vetëmenaxhim’ në krahasim me ‘vetëqeverisje’, në gjuhën angleze? Në terminologji?”, e kishte pyetur gazetarja e medias serbe “KoSSeV” ndërmjetësin. Por, përgjigja e tij, mungonte.
“Shikoni, ajo çfarë është me rëndësi këtu është ajo që është pajtuar në kornizën e marrëveshjes të dialogut do të zbatohet. Kjo është puna e parë. E dyta, ne do të gjejmë një model të zbatueshëm që arrin standardet e një modeli evropian…të ndërtuar mbi norma dhe vlera evropiane”, ishte përgjigjur Lajçaku.
Megjithatë, një dallim nuk e shënjoi.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, për Radion Evropa e Lirë sqaronte se në praktikën e mbrojtjes së pakicave dhe në praktikën e së drejtës publike ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për pakica dhe komunitete lokale, ekziston termi “vetëmenaxhim” (në anglisht: self-management) dhe “vetadministrim” (në anglisht: self-administration). Sipas tij, në esencë, në gjuhën serbe këto përkthehen si “vetëqeverisje”.
Asociacioni/Zajednica mbizotëron në kërkesat e ndërkombëtarëve
Pak kush e kishte të qartë se çfarë do të thoshte “vetëmenaxhimi”, ndërsa eksponentë të pushtetit e paraqisnin si një term të zbutur dhe se si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia kishte dalur ta shmangte “Zajednicën”. Madje Kurti këtë e paraqiste si krejt tjetër gjë nga çfarë kishte qenë në tryezë më parë. “Nuk është vetëqeverisje e serbëve por është vetë-menaxhim”, shprehej ai ndonëse asnjëherë nuk tregonte se çfarë në thelb është ky koncept jugosllav, shkruan Nacionale.
Megjithatë, ky term, del të jetë veçse për konsum të brendshëm si një eufemizëm më lehtë i gëlltitshëm në servimin e saj në publik. Termi “vetëmenaxhim” as që përdoret madje nga ndërkombëtarët e as ndërmjetësit kyç: Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Tashmë është veçse afër takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit dhe ndërkombëtarët (e madje edhe Këshilli i Sigurimit në tërësi) kanë një kërkesë të vetme: Themelojeni Asociacionin e Komunave [versioni shqip: të banuara me shumicë] Serbe.
Po të lexohen kërkesat amerikane, Asociacioni është në rend të parë. Ambasada amerikane në Prishtinë, ambasada amerikane në Beograd dhe Departamenti amerikan i Shtetit kryefjalë në çdo komunikatë e njoftim e kanë themelimin e Asociacionit. Ambasada në Kosovë i referohet si “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe (ASMM) ose në serbisht si Asocijaciji/Zajednici srpskom stanovistom na Kosovu (A/ZSO)”; Ambasada në Serbi si “Asociacioni i Komunave Serbe (ASM) ose në serbisht Zajednica Sprskih Obstina (ZSO)”; Ndërkaq Departamenti amerikan i Shtetit si “Asociacioni i Komunave Serbe (ASM)”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kaherë është shprehur se “nuk ka Komuna Serbe” në Kosovë por ka “Komuna me shumicë Serbe”. Një frazim i tillë ka gjetur kaherë kundërshtimin e tij. Megjithatë, siç lexohet nga gjuha e përdorur amerikane, ata i referohen si “Asociacion të Komunave Serbe”. Për më tepër, “vetëmenaxhimi” aq i trumbetuar nga Lëvizja Vetëvendosje si një gjë shumë më e butë dhe e një natyre më të lehtë e ushtrimit të të drejtave të pakicave, as që gjendet në fjalorin amerikan.
Gjithashtu, edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, Asociacionin e ka në në rend të parë të çdo thirrje të tij. Rohde i referohet si Asociacion i Komunave me shumicë serbe. Madje, ai edhe e bëri të qartë në një cicërimë në Twitter se vendimi përfundmtar për liberalizimin e vizave për kosovarët si dhe vendimi fillestar për kalimin në një fazë tjetër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kanë qenë krykëput të ndërlidhura me çështjen e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën veçon një gjë. “Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është kyçe për të vazhduar para”, shkroi a ditë më parë.
Ndërkaq vetëm ditën e kaluar, Këshilltari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi me presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me, siç tha ai, “nevojën urgjente për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe” ndërsa një telefonat të tilë nuk e pati edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ditë më parë Nacionalja raportoi përmes burimeve të saj se në takimin e 2 majit ndërron hesapi sa i përket draftimit të Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Baskuara “do të qesin jashtë loje” Kurtin dhe Vuçiqit sa i përket një modeli për këtë Asociacion. Kjo për shkak të mosmarrëveshjes se si duhet të jetë një llojë aranzhimi i këtyre komunave.
“Kurtit i janë dhënë 16 modele të autonomisë që ekzistojnë në praktikë në BE. Ai kishte afat deri më 18 mars për të zgjedhur njërin nga modelet. Ai nuk e zgjodhi asnjërin. Tash, BE-ja dhe ShBA-do të zgjedhin se cilin model ata e shohin si të duhurin dhe do ta rishkruajnë për Asociacionin…” – na ka thënë burimi. Nuk do të lejohen lojëra tjera mes Beogradit dhe Prishtinës sa i përket statutit të Asociacionit, ishte i bindur ai.
Neni i 7 Marrëveshjes Bazë flet për sigurimin “e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb të Kosovës”. Megjithatë, ky vetëmenaxhim del të jetë veçse për konsum të brendshëm.