Lajme

Tahiri tregon pak nga bisedat me Thaçin e Veselin kur i vizitoi në Hagë

By GAZETA SCANNER 1

October 22, 2024

Zyrtari i PDK-së Ilir Tahiri ka zbuluar pak nga biseda që ka pasur me ish-Presidentin e ish-Kryekuvendarin (Thaçi e Veseli), që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Tahiri në një shkrim të shpërndarë në Facebook-un e tij, ka treguar se si ishte Thaçi ai i cili e kurajonte këtë të fundit, anipse nën paraburgim.

Tutje, ai tregon se si Veseli iu bashkangjit bisedës pas një takimi që kishte me familjen e tij.

“Se e drejta është në anën e tyre, nuk ka dyshim. Do të turpërohen të gjithë ata që hedhin baltë mbi veprat e tyre.” – ka shkruar ndër të tjera Tahiri.

E plotë:

Duke e mbushur formularin për vizitë në Hagë, një nga pyetjet ishte: cila është arsyeja që dëshironi të vizitoni të burgosurin? Unë shkrova se më kishte marrë malli ti takoja.

Ishte hera e parë që fluturoja në një vend të Evropës.

Kur zbrita nga airopani, u ndjeva si një shqiptar që kishte dalë në Evropë, i përndjekur nga regjimi, pa e ditur se për ku ishte nisur. Unë, për dallim nga ata që dikur iknin nga regjimi, po shkoja t’i vizitoja në burg ata që e kishin luftuar regjimin, i cili kishte qenë gjenocidial ndaj popullit shqiptar.

Gjatë udhëtimit me tren nga aeroporti i Roterdamit për në Hagë, mu kujtua hera e parë si fëmijë kur kisha dalë nga Kosova, isha i vogel kur kisha shkuar në vizitë në burgun e Zrenjaninit te Xhaxhi Bejte.

Ani pse isha rritur duke vizituar familjarë të burgosur politik nëpër burgjet serbe, vizita në Hagë ishte shumë e rëndë.

Nga hyrja e deri te dhoma e vizitës kishte shumë dyer, diçka që nuk e kisha parë në burgjet e tjera.

Kur erdhi Thaçi në dhomë, takimin e filloi me humor. Në vend që unë t’i jepja kurajo atij, ai filloi të më jepte mua. Më tha: “Ky është proces Ilir, do t’ia dalim faqebardhë si çdo proces e beteje tjetër, do ta kalojmë edhe këtë betejë. Kam mund të jem njëri nga shokët e mi të vrarë. Ne jemi të përmbushur sepse kemi arritur ta shohim dhe përjetojmë lirinë. Të gjitha proceset e mëdha të çlirimit dhe ndërtimit të Kosovës kanë kaluar nëpër duar tona, për çka jemi shumë krenarë dhe të përmbushur, si unë ashtu edhe Kadriu, baci Jakup, Rexha dhe të tjerët, brenga e vetme e jonë është se si po e ecë Kosova në procesin e fundit, i cili është i rëndësishëm sa lufta për liri.”

Bisedë pas bisede, tregime e kujtime erdhi në dhomë edhe Kadri Veseli, i cili në dhomën tjetër ishte në takim me familjen. Qëndroi me ne deri në fund, pimë kafe dhe folëm për të gjithë shokët e miqtë që na vinin në mendje, sa që harrova se ku ishim. Kur erdhi fundi i vizitës, u ndjeva keq që po i lija, me qejf do të isha ndërruar me cilin do prej tyre, sepse pesha e tyre ishte më e madhe se e imja. Ata ishin bartësit kryesorë të asaj që ne e quajmë liri, ndërsa unë isha një qytetar i Kosovës që e gëzoja lirinë falë sakrificës së tyre dhe shokëve të tyre të rënë në luftën për liri. Dola i mbushur me mungesën e tyre, duke u çuar tëfala atyre që nuk munda t’i shihja.

Se e drejta është në anën e tyre, nuk ka dyshim. Do të turpërohen të gjithë ata që hedhin baltë mbi veprat e tyre.

Krenar me UÇK-në