Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është deklaruar pas përfundimit të kryesisë, ku kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mospjesëmarrjen fizike në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt dje në Tiranë.
Tahiri vlerëson se mungesa në këto mekanizma do të jetë një dëm i madh për sigurinë e vendin tonë dhe të rajonit.
“Me lejoni të shpreh zhgënjimin pra për mospjesëmarrjen e qeverisë së Kosovës, kryeministrit të Kosovës, në samitin që u organizua dje në Tiranë nga Bashkimi Evropain dhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Tahiri.
“Përjashtimi i Kosovës nga një agjendë e tillë është jashtëzakonshëm dëm për agjendën evropiane. Republika e Serbisë për 16 vite e ka luftuar prezencën e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e rajonit në të gjitha mekanizmat”.
“Në anën tjetër ne vijmë në një ditë, ku vet kryeministri i Kosovës e vetpërjashton vetën nga pjesëmarrja në këto forume. Serbia sot nuk ka nevojë që të angazhohet që Kosova mos të trajtohet barabartë me shtetet e rajonit në këto forme rajonale që janë tepër të rëndësishme edhe për çështje sigurie dhe integrimit, është vet kryeministri i Kosovës që e përjashton Kosovën nga këta mekanizma, është një dëm i madh për sigurinë e vendit tonë dhe të rajonit tonë”, vazhdoi ai.
Ai tregoi se në seancën e ardhshme do të jetë në votim Komisioni Hetimor për rastin Dehari, ku bëri thirrje që të votohet.
“Në këtë seancë do të jetë në votim komisioni hetimor për rastin Dehari, për humbjen e mostrave të rastit Dehari, e ftoj Lëvizjen Vetëvendosje, që ta votojë këto komision”, tha Tahiri.