Ballina

Tahiri, PDK: Kjo legjislaturë është e kriminalizuar, kryeterroristi Radojiçiq e ka përcaktuar vendimmarrjen në Kuvendin e Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

October 10, 2024

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë ka kërkuar që të shtyhet votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, sepse është tejet e rëndësishme të hidhet dritë mbi marrëveshjet e fshehta të kryetares së GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kryeterroristin Milan Radojiçiq.

Tahiri, në një konferencë për media tha se kjo legjislaturë është e kontaminuar dhe e kriminalizuar.

 

“Përveç faktit që Milan Radojiçiq na e paska përcaktuar pagën minimale dhe na i ka përjashtuar kategoritë më të ndjeshme, më të lavdishme nga kjo pagë dhe që paska pasur edhe kandidat të tij për Gjykatë Kushtetuese nga radhët e shqiptarëve, në çka tjetër janë të involvuar dhe kanë marrëveshje me Milan Radojiçiqin?”, tha ai.

 

Tahiri theksoi se PDK nuk do të bashkëpunojnë në asnjë rrethanë me Lëvizjen Vetëvendosje përderisa Grupi Parlamentar i saj udhëhiqet nga Kusari-Lila.

 

“Ne po ua bëjmë të qartë që me këtë parti politike nuk do të bashkëpunojmë në asnjë rrethanë, në asnjë moment, përderisa e kanë kryetare të Grupit Parlamentar një person, që tashmë është e qartë që koordinimin për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës e bën me Milan Radojiçiqin, me vrasësin e Afrim Bunjakut”, tha ai.