Lajme

Tahiri i AAK-së: VV-ja më shumë preferonte kompromisin me Listën Serbe se me partitë opozitare

By GAZETA SCANNER 1

October 10, 2024

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas publikimit të një pjese tjetër të bisedës së Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radoiçiqin.

Ai ka vlerësuar se biseda në fjalë tregon VV-ja më shumë preferonte kompromiset me Listën Serbe se me partitë politike shqiptare.

Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se audio-incizimi vërteton se vota e Listës Serbe nuk kërkohej thjesht për ndonjë çështje triviale.

“Faktet flasin më shumë se fjalët. Nga njëra anë, koordinimi politik i LVV-së dhe Kryeministrit Kurti, dhe nga ana tjetër, Lista Serbe dhe terroristi Milan Radoiçiq i kërkuar asokohe nga gjykatat e Kosovës dhe i sanksionuar nga SHBA, na çojnë në përfundimet e mëposhtme: 1. Kompromisi mes LVV-së dhe Listës Serbe preferohej më shumë sesa ai me partitë opozitare që përfaqësojnë qytetarët që e duan Kosovën, ndonëse nuk votojnë për LVV; 2. Vota e Listes Serbe nuk kërkohej thjesht për ndonjë çështje triviale apo për çështje që prekin të drejtat e komunitetit serb, por për pagat dhe të hyrat e dy kategorive sociale dhe qytetare. Këto kategori përfshinin familjet me të ardhura të ulëta, të cilat, kur LVV ishte në opozitë, i mashtronte me premtime për programe gjoja sociale dhe të drejtësisë sociale, si dhe ata që kishin sakrifikuar madje edhe jetën për këtë vend; 3. Diskutimi dhe koordinimi i dalë në publik, ishte për emërimin e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, çka prek themelet e drejtësisë në Kosovë”, ka shkruar Tahiri.