Lajme

Tahiri: AAK e bën mocionin, Kurti veç le të thotë që e votojnë – po viktimizohet

By GAZETA SCANNER 1

March 25, 2024

Besnik Tahiri, shefi i grupit Parlamentar të AAK-së, në emisionin “Frontal” me Arsim Lanin në T7 ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në fazë dorëzimi.

Duke komentuar deklaratat e Kurtit se është i hapur për ta mbështetur opozitën për zgjedhje, Tahiri tha se AAK-ja e bën mocionin.

“Na e bëjmë mocionin. Veç le të thotë ne e votojmë mocionin e Aleancës”, tha ai. Në këtë rast, deputeti i AAK-së tha se “kishte me qenë mirë sepse do të ishte konfirmu hipoteza e Aleancës”.

“Kryeministri Kurti i ka dhanë dy porosi: një që është i dorëzuar dhe po do me gjetë diçka me u largu, por jo me u dorëheqë vet dhe e dyta, po kërkon zgjidhje përmes zgjedhjeve. Ai në këtë fazë është vetëm duke u viktimizuar se shiko se çfarë po më bëjnë. Mirëpo opozita i ka ndihmu në Kuvend e në disa marrëveshje Qeverisë”, tha Tahiri.

Ai tregoi se së fundmi janë duke kërkuar komision hetimor për kontratat njëburimore.

“Duhet të ketë raport me shkrim nga ministritë se përmes kanë shkuar tenderë një burimore dhe kemi kërkuar nga auditori që të merret me një gjë të tillë. Zyra e Auditorit Gjeneral duhet të merret me këtë për shkak se është në të mirën e përgjithshme”, tha Tahiri.