Lajme

Szunyog tregon sa ndikon zbatimi i marrëveshjes në njohjen e Kosovës nga 5 vendet e BE-së

By GAZETA SCANNER 1

April 03, 2023

Shefi i Zyrës së Bashkrimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në një intervistë për Tëvë1 ka thënë se implementimi i marrëveshjes së fundit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë lidhet me perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Sipas tij në rast të zbatimit të plotë do të ketë benefite të qarta për qytetarët e të dyja vendeve.

“Së pari të diskutojmë si t’i implementojmë dhe jo si t’i mos i implementojmë marrëveshjet. Për ne sërish vegla kryesore për të punuar është procesi i zgjerimit dhe integrimit të BE-së dhe përsëri lidhet me perspektivën evropiane si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës. Dhe kjo është e rëndësishme, të shpresojmë që marrëveshja do të zbatohet shpejt dhe që do të ketë zbatim të plotë të të gjitha zotimeve dhe kjo do t’i ndihmojë qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Serbisë për të parë benefite të qarta”, ka thënë Szunyog në emisionin Respublika.

Ai ka përmendur edhe Konferencën e Donatorëve duke thënë se kjo do të ndihmojë në implementimin e marrëveshjeve dhe ka shtuar se për të është duke u punuar.

“Këtu do të shtoja gjithashtu se ekziston një zotim nga ana jonë, nga ana e BE-së për të organizuar një Konferencë të Donatorëve për të ndihmuar në implementimin e kësaj marrëveshje dhe natyrisht kjo është diçka në të cilën ne po punojmë aktualisht, po e planifikojmë këtë konferencë të ndodhë dhe sërish ekziston një gatishmëri për t’i ndihmuar implementimit por gjithashtu duhet të ketë gatishmëri nga ana e Kosovës dhe ana e Serbisë që vërtet të angazhohen në implementimin e marrëveshjeve”, ka deklaruar Szunyog.

Duke u përgjigjur në pyetjen se sa ndikon arritja e kësaj marrëveshjeje në ndryshimin e qëndrimit të 5 vendeve mosnjohëse të Kosovës, diplomati ka thënë se zbatimi i mirëfilltë do të kishte efekt në mënyrën e të menduarit të tyre.

“Kur po e përmendi këtë pajtim të 27 vendeve, do të thosha se edhe kjo mbështetje është dëshmuar në nivelin më të lartë të mundur, pra ka qenë deklarata e Këshillit Evropian i cili ka mbështetur këtë paketë marrëveshjeve që është në fakt takimi i shefave të shteteve dhe qeverive të tyre. Kjo është në fakt mbështetja më e madhe, më e lartë që mund të merret për ta ndihmuar implementimin. Nuk mund të flas në emër të shteteve anëtare, është çështje kombëtare, e vendeve veç e veç por synimi im themelor është që nëse marrëveshja zbatohet, nëse ecim drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, kjo do të ketë efekt në të menduarin e shteteve anëtare. Nuk mund të spekuloj në emër të shteteve anëtare por implementimi i duhur dhe i shpejt do të ndihmojë në këtë drejtim”, ka deklaruar Szunyog.