Sport

Sylvinho: Ndeshje e vështirë, gjithçka e hapur për vendin e parë

By GAZETA SCANNER 1

November 16, 2024

Shqipëria nuk ka arritur më shumë se një barazim pa gola ndaj Çekisë në shtëpi.

Ndeshja e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kombeve në “Air Albania” u mbyll pa gola të shënuar, rezultat ky që më shumë i konvenoi mysafirëve.

Të dyja skuadrat patën mundësitë e tyre, teksa çekët e goditën dy herë tranzverzalen në pjesën e parë.

Me këtë barazim, mbetet gjithçka e hapur në xhiron e fundit që zhvillohet të martën.

E njëjtë deklaroi edhe përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, teksa e cilësoi duelin me Çekinë si shumë të vështirë

“Ndeshje e vështirë. Siç e kisha thënë, Çekia është skuadër jo e fortë, por shumë e fortë fizikisht, e vështirë për t’u përballur. Ne nuk jemi skuadër fizike, ndaj na duhet të luajmë në mënyrë tjetër. Sa shanse kemi për vendin e parë? Është shumë e vështirë, por gjithçka është e hapur. Gjithçka mund të ndodhë. Duhet të përgatitemi mirë për sfidën e fundit. Ky grup është shumë i ekuilibruar”, tha Sylvinho.

Çekia prin në grupin 1 të Ligës B me tetë pikë, një më shumë se Gjeorgjia e dyta dhe një më shumë se Shqipëria që mban pozitën e tretë.

Ukraina e mbyll grupin me pesë pikë të grumbulluara.