Sylvinho po, Sylvinho jo. Dyshimet që rrethuan pankinën e Kombëtares së Shqipërisë pas eliminimit nga Euro 2024 do të shuhen brenda kësaj jave.
Pushimet e teknikut brazilian kanë përfunduar, ndërsa tekniku pritet të kthehet në Tiranë me ide të qarta për të ardhmen, ku në program është një takim me Presidentin e Federatës, Armand Duka që do të vendosë përfundimisht çështjen e trajnerit kuqezi.
Nga FSHF rrjedh një farë optimizmi, kjo edhe për dëshirën e qeverisë shqiptare të futbollit për të rinovuar kontratën, por për të kërcyer “tangon” duhen dy vetë, ndërsa topi qëndron në fushën e Sylvinho, që para finaleve të Euro 2024, kur në tavolinën e tij u vendos kontrata e re.
Refuzimi i atëhershëm i teknikut dhe ngurrimi gjatë javëve të fundit mban gjallë gjithë opsionet. Po ashtu, lajmet nga mediat spanjolle, portugeze dhe braziliane për oferta të tjera, vetëm sa kanë shtuar dozat e dyshuesëve.
Numri i skeptikëve u rrit pas paraqitjes së Kombëtares së Shqipërisë në Euro 2024. Pas një fushate eliminatore të shkëlqyer, Sylvinho provoi të ndryshojë në ndeshjet e Evropianit. Për disa ishte mungesë guximi, për të tjerë vështirësi nga ana e teknikut për të lexuar sfidat, ndërsa thuajse të gjithë kritikuan zëvendësimet e tij.
Të gjitha këto pikëpyetje do të marrin përgjigje shumë shpejt, ndërsa numërimi mbrapsht ka nisur deri në vendimin final për pankinën “kuqezi”.