Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për incidentin e sotëm që ka ndodhur në rrugën nacionale në mes të Leposaviqit dhe Zveçanit, ku është plagosur një qytetar i Kosovës i etnisë serbe.
Sveçla në një status në Facebook ka treguar se kanë filluar hetimet intensive të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, por edhe vetë Policisë lidhur me rastin.
“Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intensive.”, ka shkruar ai.
Sveçla tregon detajet e sulmit, ku thotë se vetura nuk i ishte bindur urdhërit të zyrtarit policor, andaj polici ka shtënë me armë.
“Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J”, thotë tutje ministri.
4 zyrtarë policorë janë arrestuar si pasojë e incidentit.
“Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK. Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht dhe gjithësecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin”, përfundon ai.