Pas takimit të Policisë së Kosovës me EULEX-in e KFOR-in, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se nga nesër do të reduktohet me 25% prezenca e policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri.
Ai ka thënë se Kosova po zbaton zotimet e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Bratisllavë.
”Policia e Kosovës ka mbajtur një takim me EULEX-in dhe KFOR-in, siç është paraparë me pikën 2 të marrëveshjes së Bratislavës. Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është se situata është e qetë. Nga nesër do të ulim prezencën e policisë edhe me 25% brenda dhe përreth ndërtesave komunale. Kosova po i zbaton zotimet e Marrëveshjes së Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në shtensionim”, ka shkruar Sveçla në Twitter.
Të premten pritet të fillojë reduktimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës prej 25 për qind nga komunat veriore.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky veprim do nis pas konstatimit të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në takimin punues të mbajtur sot se situata e sigurisë në këto komuna është e mirë.