Lajme

Sveçla i reagon Rakiqit: Ju dini vetëm gjuhën e vrasjeve, e ne atë të ligjit e stabilitetit

By GAZETA SCANNER 1

December 20, 2022

Ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Sveçla i ka reaguar kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq i cili përmes propagandës po synon t’i mobilizojë serbët në veri të Kosovës.

Sveçla e ka quajtur Rakiqin si një nga personat që po i mirëmbanë barrikadat, e që gjuhën e tij flitet vetëm për vrasjet.

“Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar mes tjerash Sveçla.

Reagimi i plotë i tij:

Goran Rakic në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.

E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim.

Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave.

Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena.

Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim.

Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij.