Ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla ka deklaruar se djali i presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së djeshme ka hyrë në territorin e Kosovës si një qytetarë i rëndomtë.
Kjo sepse sipas tij, edhe sipas marrëveshjes së Brukselit nuk ka procedura të veçanta për hyrjen e qytetarëve serb në territorin e Republikës së Kosovës.
“Djali i Aleksandar Vuçiqit ka hy si një qytetar i rëndomtë edhe sipas marrëveshjes së Brukselit për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veqanta. Ai më pas është shfaqur në Graqanicë me bluzë provokative por Policia e Kosovës kanë marrë vendim që të ndalin dhe të kontrollojnë veturat të cilat janë sjellë në mënyrë të quditshme. Atij i është kërkuar edhe heqja e kësaj bluze me mesazh provokativ për shumicën e qytetarëve të Kosovës dhe me kaq e gjitha ka përfunduar ata janë larguar në Serbi”, tha ai.
Tutje Sveçla tha se Vuçiq përveç faktit se ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e ish presidentit Slobodan Millosheviq, ai po e dëshmon dita ditës që sipas tij, është një gënjeshtar kronik.
“T’ju them të drejtën ne të gjithë e dimë që Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit por se është gënjeshtar kronik po na e dëshmon për çdo ditë, djali i tij nuk është ndalë tri herë nga Policia e Kosovës, është ndalë vetëm një herë në dalje të komunës së Prishtinës në drejtim të Serbisë kaq”, shtoi ai.
Tutje Sveçla the se djali i Vuçiqit ka hyrë përmes pikës kufitare të Merdares, teksa eskortës së tij, sipas ministrit Sveçla, nuk i është gjetur asgjë e dyshimtë.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar për ndalimin e djalit të tij nga Policia e Kosovës. Kjo për shkak të mbishkrimit në bluzën e tij “dorëzimi nuk është opsion”.
Për këtë presidenti serb e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për siç tha ai, kurajon e tij, teksa theksoi se djali i tij, Danilo është pak më trim se Kurti.
“E përgëzoj Albin Kurtin për kurajën e tij. Ai nuk është kaq i guximshëm kur është përreth meje, por në rregull. Kur dërgojnë të tjerët që të sigurojnë jetesën me fëmijët e të tjerëve, është në rregull. Danilo nuk është i vogël, është pak më trim se Albin Kurti”, ka thënë Vuçiq.