Lajme

Sunak telefonon Ramën, zyra e kryeministrit britanik jep detaje: Në korrik do të takohen dy kryeministrat

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2024

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike paraditen e sotme me Kryeministrin e Britanisë së Madhe Rishi Sunak.

Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga qeveria britanike, përmes një njoftimi për shtyp, ku sqarohet se Rama-Sunak biseduan për marrëdhëniet e ngushta mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, duke vënë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm dypalësh, duke përfshirë tregtinë dhe investimet.

Dy liderët folën edhe për emigrantët. Rama dhe Sunak ranë dakord se më shumë punë nevojitet për t’u bërë në lidhje me migracionin e paligjshëm në Europë. Këtë çështje do ta diskutojnë nga afër në takimin e Komunitetit Politik Europian në Mbretërinë e Bashkuar në muajin korrik.

Rama dhe Sunak theksuan gjithashtu rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.

Dy liderët biseduan edhe për situatën në Lindjen e Mesme, ku theksuan rëndësinë e trajtimit të rritjes së antisemitizmit në të gjithë globin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të tolerancës dhe respektit.