Lajme

Sunak do t’i bëjë presion Vuçiqit për agresionin në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

October 05, 2023

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, do t’i bëjë presion Serbisë pas agresionit ndaj Kosovës.

Siç njofton Qeveria Britanike, Sunak gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada të Spanjës, do të ketë takime me shumë liderë tjerë evropianë, ku si temë diskutimi do ta ketë situatën e fundit në Kosovë.

“Në takimet me një varg liderësh, kryeministri do të theksojë edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për siguri më të gjerë evropiane, përfshirë reagimin ndaj situatës në Kosovë dhe në Nagorno-Karabakh. MB-ja këtë javë ka dërguar 600 trupa britanikë për të përforcuar misionin e NATO-s në Kosovë, dhe Kryeministri pritet t’i bëjë presion Serbisë për t’u siguruar se ata që qëndrojnë prapa sulmeve të fundit ndaj policëve të Kosovës do të përballen me drejtësinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë britanike.

Në njoftim thuhet po ashtu se kryeministri britanik do t’i nxisë liderët të bashkojnë forcat për të mbrojtur kufijtë e Evropës nga bandat kriminale dhe për të përballuar agresionin rus, në takimin e Komunitetit Politik Evropian [EPC].