Lajme

Sulmohet me koktej molotovi një lokal në veri që Sveçla e kishte vizituar

By GAZETA SCANNER 1

July 14, 2024

Një lokal afarist në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me koktej molotovi, mëngjesin e 14 korrikut.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Rreth orësh 03:30 k pasur tentim për zjarrvënie në Mitrovicë të Veriut”, tha Elshani.

Sipas tij, dëmet materiale janë të vogla.

“Për momentin nuk kemi të dyshuar”, theksoi Elshani.

Ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, kishin qëndruar në pastiçerinë që u bë cak i sulmit me koktej molotovi më 14 korrik. Pronarët e lokalit janë pjesëtarë të komunitetit goran.

I pyetur nëse sulmi ndaj këtij lokali u krye në shenjë hakmarrjeje për vizitën e Sveçlës, Elshani tha se “nuk përjashtohet” që ky të jetë motivi i sulmit.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë të larta që nga vitin e kaluar, kur mes kundërshtimeve të popullatës lokale serbe, kryetarët shqiptarë morën drejtimin e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Tensionet u rritën edhe më shumë më 24 shtator, pasi një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen. Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kosova ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin dhe pjesëtarët e grupit të tij që kryen sulmin para autoriteteve gjyqësore të Kosovës.